-sidi education-spot_img
9.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Agron Gjekmarkaj: Kronikë malli, e brengash që nuk na ndahen!!

Kryesoret

Lindita po e bënte të qartë se “për Babon e troje të veta nuk i dhimbsej gjaja e jeta” për më tepër kur ai mungon.

Akuzave kompleksuese po u përgjigjej me kundërsulm si dikur mirditoret në luftën e Krimesë me Lleshin e Zi.

Bela erdhi e sertë sot po kaq e sigurt. Nuk shfaqi asnjë dobësi, as ndonjë gëzim, duke shkaktuar ankth e pritje. Çdo buzëqeshje modeste e merrte mrapsht dhjetëfish nga mileti atij logu.

Margeriti mungoi me gjasë e trembur nga zëri i Albanës si kolonë zanore e revolucionit qe po vjen ! Ndaj nuk e pamë të sapo zbritur nga një ëndërr krejt si mjegulla që shtrihet ngadalë mbi luginë për të hedhur vështrimin e përtueshëm e nazik mbi sallën e trazuar. Anarkia ne horizont po e shushat dhe frika mos Ina e thërret shoqe po kaq.Niko u shkrydh pak dhe lëshoi një uf a bërrrr të cilin e dëgjoi vetëm ai vetë qerratai. Shqisat e tij nuk janë kurrë indiferente ndonëse pa emocione si makinë llogaritëse u gjeten të papërgatitura nga vëmendja -pyetje e Doktorit mbi pastruesen.

Teta Gerta dukej e pushtuar nga një xanxë turbulluese ndërsa kqyrte tutje-tehu pa adresë dhe kujdesej që shikimi mos ti ndeshej me atë të Xhaxhi Titit i cili ja bën qejfin qeder herë pas here me denoncime e krisma.

Olta edhe pse u zgjodh njeriu i vitit nga një emision serioz pret komplimentet e kolegëve që nuk i mbërrijnë. Unë po ja bëj nga dritaret e kronikes me një te dashur aferim.

Ulsiu pasi kaloi një lëngatë disa ditore ishte qëruar e lëmuar si linat e qarrit nga lëvozhgat. Plot gjallëri jepte e merrte me shiharete se virusi e kishte lënë eksiq në fjalë.

Elisa në qiellin e shtatë pas lavdeve të marra nga Babo ku jeta i dukej si fllad , pret të nisë lufta dhe të nxjerrë artilerinë e rëndë me bojë katran. Po kaq i vlon ëndrra që Babo ta shohë tek vajis armët, ndërkohe ka uri se dieta e tepërt të vetën bën. Një byrek aromëndjelles i shkon në mendje po nuk do qe ta shohin agjentet e fshehte të kronikes te cilët shijen e të gëlltiturit ta kthejnë në jangellesh.

Tezja konkurronte edhe sjellësin e fatkeqësive për nga nurseslleku teksa thurte një triko. Vitet ikin hareja tutje. Ajo murrëtimin si pelerinë mbi supe hedh.

Boren një dremitje e lehtë pushimesh e shoqëronte, bashkë me të një dëshirë e ndezur për të patur ndonjë vështrim nga Babo i regëtinte.
Edona rrinte në ankth mos dikush i kujtonte sekretaren dhe projektet e saj kokëçarese.

Çuçi tek heshtja ka gjetur paqen derisa ndoj pushkaliqe t’ja bëjë bam në kotec. Ikonomi nga paqja mendon për luftën që e ka dy metra larg. Po kaq për tiganin qe ka harrur mbi sobë shqetësohet. Delinën se kuptova në ishte apo jo po gjithsesi ajo nuk e heq spinën nga viti tjetër e njëjta e qeshur i është ngrirë në fytyre.

Krifca me mollëza pak te skuqura nga stresi dhe shëndeti me përvujtni shihte Braçe trazovaçin i cili si guralec i ka hyrë në këpucë duke e vonuar sa herë ka leksion në Akademine e barinjve. Herën e fundit barinjtë nuk e priten në lëndine. Xha Sabahu me gunën mbi supe u priu dhive pikë e vrer.

Shalsi pas meditimit foli e tha hmmmmmm.

Ndonëse e dija në ç’hone e zezona do kalonte pasditja në Kuvend gjithsesi shkova. Konflikti mes puritanve safi dhe të shiturve mavi po merr trajta dramatike. Tonet janë te larta, e vërteta dhe gënjeshtra pothuaj zihen për fyti teksa ai thahet për fjalë pajtimi.

Pjesa e dytë

Alibeaj si Polifemi në shteg të guves priste delet të kalojnë për të vënë dorë mbi të pandreqshmit. Mua si mbi palët me zunë pritë në korridor Tritani, Oerdi, Agroni dhe Belindi ku më dorëzuan një letër pendimi e autokritike zografisur në pergamenë. Vende- vende mbi të shquheshin njolla vajtimi.

Me këputi shpirtin Këlliçi ish-kryetari i ish-komisionit të ish rithemelimit, dihatej me ngashërim por gjeti forcë dhe në emër të katërshes më dha fermanin si më konfident që e kam.

E hapa, ç’të shihja mu errën sytë. Ajo fillonte “I nderuar Z. Alibasha….”! Nuk bën kështu u thashë por ndërhyri Tritani i cili me tundje gishti me sqaroi se në “partinë tonë emrat i vendos Doktori ai është gjendje civile në fjalën e tij e kemi Bibël e Kuran”! Oerdi shtoi “Errare humanum est, perseverare autem diabolicum”.
Agroni përshpëriste “po ne jemi penduar, ne jemi pastruar nga lakrat, ne kemi besim se partia do na e heqë njollën”.

Në atë ujdhesë ku çasti e rasti kërkojnë individin si gjykatës i epërm kaloi Kryezëvendës Lideri Muli i cili i pa vëngër, i qortoi për atë rreke qaramanllëku e dorëzimi. Me një lëvizje të befte me kapi zarfin nga dora dhe e beri copë e çikë, “Kështu do ti thërmojmë të gjithë besprerët, partia jemi ne, ku është Doktori është ajo” tha dhe me hap të rënde iku drejt historisë. Unë ndjeva derën e saj të më pingëronte në fytyre teksa mbyllej. Pata ndjesinë e jetimit.

Salianji ka ditë që derdh djersë për bashkimin e demokratëve dhe të grupit pa u lodhur. Atypari kaloi si Neroni që ngrohu duart kur Roma u dogj. Shikimin e njeriut që mendon kokat hëngshi o maskarenj, zifti ju përvëloftë, damllaja ju shoftë, që nuk më deshët sa ju desha-kishte. Mbase është edhe maturi, mos ngutje , se ka ditëlindjen sot evlati ku i urojme edhe 100 të mbrothta. Betejat e kanë hequr ca po jepet ay!? Le njërën fillon tjetrën firauni.

Dash Sula pasi ka bërë të vetin parimin e Platonit se e bukura pranohet pa shpjegim me petka plot shkëlqim duke thyer çdo kufi estetik u ul mendueshëm në vendin e tij.

Jorida, ah e trishta Joridë as ajo nuk u duk me gjasë i kishte shterruar të gjithë lotët e saj të shumtë duke i derdhur vakive të partisë me shpresën se melhem mbi plage do binin. Përjashtimin e të katërtve me katër ore qarje e shoqëroi, nga një për secilin. Po partia nuk do lot por fjalë si plumb. Mbase sot në vetmi ajo rri e heshtur e indiferente si gur zalli ndaj çdo dhimbje. Gaz Bardhi në pandjeshmëri e tabiate ndihej i konkurruar. Gjurmët e rrëkeve të gjata i kanë lënë shenjën si përrenjtë e tharë mbi tokën e zhegitur.

Ata që ishin afër Helidon Bushatit pohuan se ai tha “ Shaj të shajmë hidh e prit . Fryu-shfryu ditë për ditë eh, ky topi politik…..!”
Xhelali nuk po kupton më kush është miku dhe armiku ndonëse për Kamzën jep jetën e cila nuk është aq e gëzuar aty brenda mes pusisë. Ezmerllëku i Xhelës është bërë meditativ i pasigurt në duhet thënë më gënjeve një herë haram e paç në me gënjeve dy herë hallall e paç.
Tao dukej i velur nga yndyra e festave. Edhe mendimet i kishte me shtresa si bakllava. Fjalët me elegance sherbeti i hidhte ku kryefjala ngjante me copa arre dhe kallëzuesi me rrush të thatë mes gromësimave të përgjithshme që nga mazhoranca nuk mungonin.

Mimi di Puçini pasi kishte përshpëritur me vete nja dhjetë “Ave Maria”, ndihej e dlirë dhe e pamëkat edhe pse s’dihej në erdhi apo jo. Ajo ish-Kryeministrit Majko dukshëm i pa ngasje i pat lënë pranë veshit postulatin “ç’të jep Zoti s’ta merr robi” ! E kishte dëgjuar Klosi e thënë paska “çdo Babo bën Zoti kaq e ka mësu robi”. Të mbaje qëndrim ishte e rrezikshme se ja di dorën Zotit e robit. Majko heshti gjatë.
Tigrushi thuhet se rri i menduar, mbi tavoline ka vënë qindra CV pastruesesh dhe s’di kë të zgjedhë. Shume syresh janë me master e doktoraturë.

Edhe për Damon zërat vinë se nuk ishte treguar tahmaqar në të ngrënë dhe si dëshmi mbante të mbërthyer një xhaketë slim. Herë pas here treguar ka muskujt. Klevis Xhoxhi ishte mallëngjyer e paskësh premuari se do ndiqte këshillat e tij në palestër.
Etilda si për të plotësuar trekëndëshin e Bermudës në mungesa nga Brukseli e përqëndruar si gjithmonë mbi vetveten dhe e përkulur mbi kompjuter u shfaq me syze shikimi si për të na thënë që horizontet po turbullohen ndaj syve u duhet ndihme për të kapur detajet njerëzore të një kohe pa ngjyra.

Flutura Açka kërkon personazhet e romanit të ri brenda ngjarjeve të vjetra. Ajo ndërdyzet në duhet të ndërroje gjini dhe të merret me satire, por sheh nga unë dhe mendon dy janë shumë dhe vendos të mos e negocioje seriozitetin e vet në mes të shakasë.
Fatmiri si qiriu i Naimit mes nesh ka qëndruar dhe në errësirën e ndarjes flakëzënë e bashkimit sjell por “humbjen e florinjve dhe gëzimin e fqinjëve” të Sadiut sakën se e harron.

Çyrbja ka reflektuar gjatë këto dite pushimesh i brejtur nga dilema në duhet të shkojë në sallë vetëm kur është Babo apo si syri i tij vigjilent të shohë e vezhgojë çdo paudhësi. Nuk ishte i sigurtë në do përballonte vuajtjen dhe zemërimi do ta shpinte kah dajaku per ata qafira.

Nasipi shikonte nga çeta e vogel por stoike e PL dhe mendonte sa mire që gajretova me e kalue herët Rubikonin dhe ndidhte me sy Agron Çelen qe ti ulej pranë si dy socialistë që rigjetën grigjën. I dukej Blerina ku e ku me e dashur se Mona. Këmbët e lehta faqja e bardhe.

Diku më zunë sytë Kostën e Gramozit dhe të Linditës që çapitej me stoicizem që te fliste pa thënë gjë në këto kohë jallane.
Babo duke pare në ekran ngrohte duart në zjarrin që Opozita kishte ndezuar brenda vetes dhe kruan mjekrrën nga lezeti që i shkakton farfullitja. Pyeste veten e ardhmja u perket atyre që digjen apo atyre që ngrohen?! Nuk po i dilte llogaria, Doktori digjet Luli krihet. Hajde gjeja fillin. Tërmeti e dha një shenjë.

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit