Shtëpia e Bardhë tha të hënën se nuk ekzistojnë regjistra të vizitorëve në shtëpinë e Presidentit Joe Biden në Wilmington të shtetit Delaware, ku u gjetën dokumente të klasifikuara nga koha kur ai ishte nënpresident. Në një deklaratë të Shtëpisë së Bardhë thuhet se arsyeja për mungesën e tyre është se shtëpia në Delaware është një rezidencë private.
“Si çdo president gjatë dekadave të fundit të historisë moderne, rezidenca e tij personale është personale. Por me marrjen e detyrës, Presidenti Biden riktheu traditën e mbajtjes së regjistrave të vizitorëve të Shtëpisë së Bardhë, përfshirë publikimin e rregullt të tyre, pasi administrata e mëparshme ndërpreu një praktikë të tillë”, thuhet në një deklaratë të Shtëpisë së Bardhë.
Paraardhësi republikan i zotit Biden, Donald Trump, nuk publikonte regjistrat e vizitorëve në Shtëpinë e Bardhë gjatë katër viteve të tij në detyrë duke hequr dorë nga një prej traditave të presidences amerikane.
Kryetari republikan i Komisionit të Mbikëqyrjes së Dhomës së Përfaqësuesve kërkoi regjistrat e vizitorëve për shtëpinë e demokratit Biden në Delaware, pasi dokumente të klasifikuara u gjetën në zyrën dhe garazhin e tij.
Republikanët kanë kërkuar të krahasojnë çështjen e dokumenteve të zotit Biden me atë të ish presidentit Trump, i cili përballet me një hetim penal federal për mënyrën se si trajtoi dokumentet e klasifikuara pasi u largua nga Shtëpia e Bardhë në vitin 2021.
Shtëpia e Bardhë thotë se ekipi i presidentit Biden i ka dorëzuar dokumentet që ka gjetur. Zoti Trump nuk e kishte bërë këtë deri në një bastisje të FBI-së në muajin gusht në shtëpinë e tij në Florida.
Ekipi ligjor i zotit Biden tha se kishte gjetur dokumente të klasifikuara nga koha kur ishte nënpresident në shtëpinë e tij në Delaware dhe në zyrën e tij në një institut kërkimor në Uashington. Avokatët e tij të shtunën njoftuan se gjetën disa faqe shtesë në shtëpinë e tij.
Materiali i ndjeshëm në zyrën në Uashington u gjet në nëntor, por publiku mësoi për këtë nga një raportim i televizionit amerikan, CBS News, javën e kaluar.
Prokurori i Përgjithshëm amerikan, Merrick Garland emëroi të enjten një prokuror të posaçëm për të hetuar trajtimin e dokumenteve të ndjeshme të qeverisë nga zoti Biden. Një prokuror tjetër i posaçëm po heton trajtimin e dokumenteve të klasifikuara nga ish-presidenti Trump, si dhe përpjekjet e tij të pasuksesshme për të përmbysur humbjen e tij në zgjedhjet e vitit 2020. /VOA