Në datë 21 Janar pritet që të jetë piku i reshjeve të shiut në Shqipëri. Kështu deklaroi sot ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, që është përgjegjës edhe për Emergjencat Civile. Ai tha se përmbytje ka vetëm në Shkodër, pasi lumi Buna ka dalë nga shtrati.
“Përkeqësimi i fortë i motit, kërcënimet nga reshjet e larta dhe bora e ngricat në vijim, masat e marra si edhe çfarë duhet pasur parasysh nga vetë qytetarët. Pjesa më e madhe e rrugëve në veri kanë probleme. Furnizimi me energji ka shfaqur probleme.
Pa pasur ndërprerje në disa qarqe. Lumi Osum në Çorovodë ka një rritje të nivelit, por nuk ka rrezik. As Devolli. Drini në Shkodër ka rritje me 25 cm. Jemi ende larg kuotës 7.5 metra. Deri në datë 21 do të kemi reshje të vazhdueshme, ku presim pikun e reshjeve.
Vjosa ka tendencë në rritje, por nuk parashikojmë rrezik. Lumi Erzen nuk paraqet rrezik. Edhe Shkumbini me Semanin janë në kuota normale. Buna në Shkodër doli nga shtrati. Kemi 250 hektarë përmbytje” tha ai.