Shqipëria është përfshirë prej dy ditësh nga moti i keq me stuhi që pritet që të vazhdojë. Instituti i Gjeoshkencave sipas llogaritjeve hidrologjike, deklaron se si rezultat i reshjeve me intensitet të lartë, të rëna gjatë dy ditëve të kaluara, të cilat do të vazhdojnë edhe sot dt.18 Janar dhe nesër dt.19 Janar, do të ketë rritje të prurjeve në lumenjtë e mëdhenj dhe të mesëm Drin-Buna, Mat dhe Vjosë.
“Lumenjtë Drin-Buna dhe Liqeni i Shkodrës do të vazhdojnë të kenë prurje dhe nivele të larta. Për pasojë pritet përkeqësimi i hartës së përmbytjeve në pjesën e Nën Shkodrës dhe përmbytjes të zonave periferike të qytetit të Shkodrës në afërsi të Liqenit. Për arsye të shtimit të rrezikut nga përmbytja, është vendosur të mbahet shenja e paralajmërimit nga përmbytja për qarkun e Shkodrës.
Rrezik të shtuar për përmbytje në vazhdim të ditës së sotme dhe të nesërme do të ketë dhe në lumin Vjosa. Në lumenjtë Ishëm, Erzen, Shkumbin dhe Seman pritet një rritje e prurjeve, por që nuk përbën rrezik për përmbytje” njofton Instituti i Gjeoshkencave, teksa në mesditë Buna doli nga shtrati.
“Në qarqet Shkodër, Kukës, Dibër, Lezhë, Elbasan, Vlorë dhe Gjirokastër pritet të ketë vërshime të shpejta të lumenjve si dhe rrëshqitje të dherave. Në zonat urbane të këtyre qarqeve pritet të ketë përmbytje të lokalizuara në varësi të gjendjes së kanalizimeve. Ky informacion do të përditësohet nga IGJEO sipas llogaritjeve më të fundit hidrologjike dhe do të njoftoheni për çdo ndryshim në parashikimin e përmbytjeve” vijon më tej njoftimi.
A do të ketë reshje të tjera? “Sot pasdite (e mërkurë, dt.18) dhe nesër (e enjte, dt.19) priten reshje shumë intensive në qarqet Vlorë dhe Gjirokastër, intensive në qarqet Shkodër, Kukës, Dibër, Lezhë dhe Elbasan, ndërsa mesatare deri lokalisht intensive në qarqet e tjera. Në qarqet Shkodër, Kukës, Dibër, Lezhë, Tiranë, Elbasan, Vlorë dhe Gjirokastër reshjet priten të shoqërohen edhe me shtrëngata.
Nesër (e enjte, dt.19) temperaturat minimale dhe maksimale të ajrit pritet të arrijnë: në bregdet: 13 / 17 °C; në vendet e ulëta: 12 / 14 °C; në vendet malore: 6 / 10 °C. Era sot pasdite (e mërkurë, dt.18) dhe nesër (e enjte, dt.19) era pritet të fryjë e mesatare deri e fortë, sidomos në bregdet dhe në zonat malore” mbyllet njoftimi.