Autoritetet ukrainase po nisin sot një hetim pas një kërkese të presidentit Volodymyr Zelensky për rrëzimin e helikopterit dje ku humbën jetën të paktën 14 persona përfshirë ministrin e Brendshëm.
“Shërbimi i sigurisë i Ukrainës ka nisur një hetim për këtë incident të tmerrshëm”, tha Zelensky mbrëmë.
“I kërkova kreut të shërbimit të sigurisë të Ukrainës, në bashkëpunim me të gjitha autoritetet e tjera përkatëse, të hetojnë rrethanat në të cilat ndodhi fatkeqësia” , shtoi ai.
Helikopteri, një Super Puma EC-225 sipas shërbimit të urgjencës shtetërore (SES) të cilit i përkiste u rrëzua mëngjesin e djeshëm në qytetin Brovary pranë Kievit.
Siç theksoi i njëjti burim, në helikopter ndodheshin nëntë persona, mes tyre ministri dhe zëvendësministri i Brendshëm.
Sipas të dhënave të fundit 14 persona përfshirë një fëmijë janë vrarë dhe 25 janë plagosur, përfshirë 11 fëmijë.
“Kreu i policisë kombëtare të Ukrainës do të drejtojë ministrinë për momentin. Gjithashtu, përgjegjësitë e ministrisë në kuadrin e mbrojtjes dhe ato që kanë të bëjnë me garantimin e sigurisë së shtetit iu caktuan (agjencive të tjera), shtoi Zelensky.