Një video në mediat ruse pretendon dhe tregon “vullnetarë” serbë që stërviten për të luftuar përkrah trupave ruse në Ukrainë, ka nxitur zemërim në Serbi, duke ekspozuar marrëdhëniet e saj komplekse me Moskën.
Grupi mercenar i Rusisë Wagner bëri videot në gjuhën serbe për të inkurajuar rekrutimin për luftë. Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka reaguar me zemërim në televizionin kombëtar.
Kritikët shpesh e akuzojnë Serbinë se i jep përparësi miqësisë së saj të gjatë me Rusinë mbi ambicien e saj për t’u bashkuar me BE. Por ajo që ka dalë ditët e fundit në Beograd tregon se fotografia nuk është edhe aq bardh e zi.
Duke lënë të kuptohet për marrëdhëniet më pak se rozë me Moskën, Presidenti Vuçiç tha se Serbia jo vetëm që ishte “neutrale” në lidhje me luftën në Ukrainë, por se ai nuk kishte folur me presidentin rus Vladimir Putin për “shumë muaj”.
Të enjten, një avokat me bazë në Beograd dhe grupe kundër luftës ngritën ankesa penale kundër ambasadorit rus si dhe kreut të agjencisë së informacionit dhe sigurimit shtetëror të Serbisë (BIA) për rekrutimin e dyshuar të serbëve për grupin Wagner.
Presidenti Vuçiç këtë javë e bëri të qartë qëndrimin e Beogradit:
“Për ne, Krimea është Ukrainë, Donbasi është Ukraina dhe kështu do të mbetet”.
Ky qëndrim nuk ka mjaftuar për t’i bërë përshtypje Parlamentit Evropian, sepse Serbia ka refuzuar vazhdimisht të vendosë sanksione ndaj Rusisë.
Për herë të dytë, eurodeputetët kanë miratuar një rezolutë që kërkon pezullimin e negociatave të anëtarësimit derisa Serbia të pranojë sanksionet.
Për sa kohë që BE-ja tregoi pak entuziazëm për zgjerimin e bllokut për të përfshirë vendet e Ballkanit Perëndimor, kishte kuptim që Serbia të mbante lidhje miqësore me Moskën.