Asociacioni i Komunave të Kosovës (AKK) ka kërkuar të dielën, më 22 janar, nga Qeveria e Kosovës që të mundësojë një fond emergjent komunave.
Kjo kërkesë e AKK vjen pas vërshimeve që përfshin disa komuna të Kosovës gjatë kësaj jave, që shkaktuan dëme në ekonomitë familjare, bizneset, infrastrukturë rrugore e të tjera.
Nga vërshimet më të prekura janë komunat: Skenderaj, Mitrovicë e Jugut, Istog dhe Klinë.
“Vërshimet nuk janë problemi i vetëm, pasi gjatë vitit komunat ballafaqohen edhe me fatkeqësi tjera natyrore. Bordi i AKK-së kërkon që fondin emergjent ta menaxhojnë komunat për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve të tyre”, thuhet në një njoftim për media të AKK-së.
Ndërkohë, në komunat e prekura nga vërshimet janë formuar komisione për evidentimin e dëmeve.
Komuna e Skenderaj ka ofruar për qytetaret e prekur nga vërshimet produkte ushqimore dhe higjienike.
Sipas kryetarit të Skenderajt, Fadil Nura, dëmet nga vërshimet janë shumë të mëdha, andaj ai gjatë një takimi me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, më 22 janar, kërkoi përkrahjen nga niveli qendror për riparimin e dëmeve.
Komuna e Klinës ka ftuar qytetarët që të paraqiten në Drejtorinë e Shërbimeve Publike dhe Emergjente nga data 23 deri me 30 janar për plotësimin e aplikacioneve për vlerësimin e dëmeve.
Komuna e Mitrovicës ka bërë të ditur se kanë marrë përsipër që brenda mundësive financiare të bëhet kompensimi i dëmeve, por sipas tyre, në një gjendje të tillë, presin reflektim e mbështetje edhe nga niveli qendror.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë të premten më 20 janar se Qeveria e Kosovës dhe të gjitha institucionet shtetërore do t’iu ofrojnë ndihmë banorëve të prekur nga vërshimet.
Shirat e rrëmbyeshëm shkaktojnë shpesh vërshime në Kosovë.
Sipas Institutit reshjet e shiut me intensitet të ndryshuar, pritet të vazhdojnë edhe gjatë ditëve në vazhdim deri më 25 janar./REL