Grafite me emërtimin e grupit paramilitar rus “Wagner” janë vendosur në veri të Mitrovicës dhe në Zveçan. Lidhur me këtë, Policia e Kosovës ka deklaruar se merren me rastin. Sipas Policisë në veri të Mitrovicës, grafitet janë shkruar në mure të objekteve nga disa persona të panjohur.
“Mitrovicë veri, 22.01.2023 – NN. Është raportuar se në mure të objekteve nga persona deri më tani të panjohur janë shkruar mbishkrime me ngjyrë të kuqe ‘WAGNER’. Njësiti policor i hetimeve po merret me rastin, po ashtu është njoftuar edhe prokurori kujdestar. Rasti është duke u hetuar”, thuhet në njoftim.
Në Zveçan grafitet janë vendosur në tabelat e komunikacionit. “Zveçan, 22/23.01.2023 – NN. Është raportuar se në tabelat e komunikacionit nga persona deri më tani të panjohur janë shkruar mbishkrime ‘WAGNER’. Njësiti policor i hetimeve po merret me rastin, po ashtu është njoftuar edhe prokurori kujdestar. Rasti është duke u hetuar”, njofton Policia.