Në Shqipërinë e të gjithë brezave nuk ka pasur e nuk do të ketë një figurë më interesante se ajo e Fan Nolit! Më poliedrike!
Jeta e tij i ngjet legjendës së Sizifit. Ngrihet dhe bie, pastaj ngrihet përsëri dhe bie përsëri, përmes fjalëve dhe vizioneve, eposeve dhe kuptimeve, deri sa bën atë vend që është pakrahasimisht me të tjerët!
E çuditshme jeta e tij, por edhe më e çuditshme vepra!
I lindur në Ibrik – Tepe, një fshat shqiptar i Anadollit, ku tashmë rrallë mund të gjesh bashkëkohas të tij, ai bëhet njëri ndër shqiptarët më të mëdhenj të historisë sonë.
Askush nuk e di se kur ra ai në kontakt për herë të parë me gjuhën shqipe, por bëhet lëvruesi më i madh i saj. Jo më gjeniu, sepse at piedestal e ka zënë Migjeni dhe koha nuk bënte të mundur ngritjen e piedestaleve të tjerë, por lëvruesi më i madh.
Njeriu , i lindur në rrethinat e një vendi ku pak dihej për gjuhën shqipe sjell në gjuhën e perëndive , si askush tjetër , tragjeditë e mëdha të Shekspirit, ndoshta përlthyesi më i shquar i tij; prifti që sjell Rubairat e Khajamit; i enduri rreth botës sjell aventurat e Don Kishotit, duke e ditur fare mirë se çdo shqiptar , jo vetëm i kohës së tij, është jo pak Hidalgo; i kthehet poetëve të mëdhenj Edgar Allen Poes, Longfellout, Bodlerit, Hygoit dhe Verlenit.
Endacaku i dikurshëm i teatrove lëvizëse të Egjiptit shkroi libra të shkëlqyer për Betovenin dhe Skënderbeun, dhe, jo rastësisht, këtë e bëri në të njëjtën kohë kur shqipëroi edhe Librat e Shenjtë.
ortodoks nga besimi, por shkroi një ese të mrekullueshme për profetin Muhamet, ndërsa e adhuronte Jezu Krishtin më shumë si poet, se sa gjithçka tjetër. Ai ishte i bindur se profetët ishin poetë të mëdhenj, sidomos Jezusi.
Në librin e tetë të Odisesë lexohet se perënditë endin fatkeqësi në mënyrë që breznive të ardhshme mos t’u mungojë krrë lënda për të cilën të këndojnë.
Kështu ndodh edhe me Fan Nolin. Askush nuk ka pasur jetën e tij. Ai është Njeriu, ai vuan, ai ndodhet aty ku duhet në një kohë të caktuar; mjeshtër i fjalës – ai të duket sikur ka në vete urtësinë e martirëve; është burri i dhimbshëm, mbret dhe njëkohësisht skllav i ndjekur që terratiset në arratinë e tij, pjesë e shembjes së të perandorisë së të keqes, por që shkapetet nëpër gardhistet e politikës; gjëmues , por edhe njeriu i romuzeve përçmuese; ; ai nuk është një histori e miëfilltë, ai është vetë historia.
Ai ishte plot jetë, shkapetës fatesh njerëzore, i qëndrueshëm dhe njëkohësisht i dukshëm. Ishte i parakohshëm në shekullin e tij, do të jetë i pranishëm në shekujt e ardhshëm. Asgjë nuk ia zbeh lavdinë e tij, por edhe përkorjen. Krijoi një botë parajsore, e cila duhet kaluar përmes vargjeve të tij, të cilat janë herë herë satanikë, e pastaj gjithë mall, dhimbje, ndjenjë, përkushtim, ajër i përbashkët që ndrin një rrozullim jo vetëm poetik.
Nuk tradhtoi asnjëri nga shokët e tij, megjithëse shpesh herë u ndje i tradhtuar; ishte i qetë, i pastër, më tepër fusharak se sa njeri i salloneve, e në të njëjtëën kohë , i hedhur, plot jetë, , endacak i lumtur që gjithëherë gjendet gjithkah; ai bëri dramë jetën e tij.
Nga prift i zakonshëm, jo përherë mbuluar me rason e tij ai bëri aktin e tij të madhërishëm, u bë krijues i Kishës Autoqefale Ortodokse Shqiptare dhe, sikur vetëm ky akt të ishte, do i mjaftonte vendi i tij në panteonin e nderit.
I ndezur nga malli për atdheun nga ku e kishin dëbuar, pasi kishte qenë deputet, zë i opozitës, kryetar partie, kryeministër, ai kompozon muzikë bizantine, njëjtë si Kukuzeli dhe, në çastet e meditimit , nis një dialog të çuditshëm letrar me Bernard Shoun.
Ai i mund të gjithë dhe këtë e bën natyrshëm dhe pastaj, e sheh se mundet, por koha i mjafton për të bërë ringritjen e tij.
E mundin në politikë, por jo në fushat ku është mbret i kurorëzuar!
Përplaset me Princin e Letrave, Konicën e çuditshëm, erudit dhe dembel, por nuk e ka për gjë të krahasojë veten me Sanço Pançon bri tij!
Vete në teqenë e Detroit dhe takon baba Rexhepin, të cilit ia njeh mençurinë dhe atedhedashurinë, dhe kur ngrit gotën me verë, nuk përton të kujtojë disa nga rubairat që i dha jetë në gjuhën shqipe..
Ai ishte më parë shkrimtar e pastaj teolog; njohës i përkryer i gjuhëve të gjalla dhe të vdekura, shqiptar dhe qytetar i botës, ëndërrimtar dhe frymë, dashuronjës pasionant dhe i mbyllur në botën e tij, shef qeverie dhe i varfër, njeri që nuk ka pas vetes testament sepse nuk kishte çfarë të linte, orator i përmasave të mëdha dhe shakaxhi i shkëlqyer;
Ai ishte një Njeri i lirë për shkak të mungesës së lirisë…
Ai ishte njëri ndër profetët e lirisë, pa të cilin liria do të ishte e mangët dhe botës së artit do i mungonin disa nga kryeveprat e të gjitha kohrave.
Ai i mundi të gjithë, duke u nisur nga një fshat i panjohur, që më pas e njohën nga emri i tij; pa pasur pasuri dhe privilegje, pa qenë as aga, as bej e as pasha.
I mundi nga mendja dhe forca e shpirtit…..që kurrë nuk shterr.