Kryetari i PD-së, Sali Berisha deklaroi në mbledhjen e grupit parlamentar, se oligarku i ngushtë me Vladimir Putinin, Oleg Deripaska është shpallur investitor strategjik nga Edi Rama. Por për cfarë biznesi e kishte fjalën Berisha?
Charles McGonigal, ish-drejtori i Kundërzbulimit të FBI, akuzohet edhe për lidhjet e tij me Oleg Deripaska, një miliarder rus i cili është sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Sipas të dhënave të publikuara në faqen OpenCorporates, oligarku rus rezulton pronar i kompanisë “TREMA ENGINEERING 2” dhe e ka shtrirë biznesin e tij dhe në Shqipëri.
Kompania Trema Engineering 2 ka 33 % të aksioneve në hidrocentralin e Shushicës. Kjo kompani është në pronësi të STRATBAG AG, e cila rezulton me seli të regjistruar në Austri, me kapital 12 milionë euro. Njeriu i besuar i Vladimir Putinit, Oleg Deripaska, ka 25.9% të aksioneve në kompaninë STRATBAG AG, me të cilën kontrollon 33 % të hidrocentralit të Shushicës.
Sipas dokumenteve, Idajet Ismailaj, Gentjan Filaj dhe njeriu i besuar i Vladimir Putinit (Oleg Deripaska), janë bashkëpronarë në kompaninë Shushica Hydropoëer, kompani që ka ndërtuar kaskadën e hidrocentraleve mbi Lumin Shushicë, për të shitur energji.