Kroacia ka mbështetur Kosovën për t’u pranuar në Këshillin e Evropës.
Përfaqësuesi i Kroacisë në Asamblenë e Këshillit të Evropës, Domagoj Hajdukoviç tha se Kosova është gati për anëtarësim në strukturat evropiane.
Ai i ka bërë thirrje që edhe Këshillit të Ministrave të çojnë përpara këtë proces.
Po ashtu theksoi se me pranimin e Kosovës në këtë mekanizëm, përfitojnë të gjithë.
“Inkurajoj kolegët që ta mbështesin aplikimin e Kosovës për Këshillin e Evropës, i bëj thirrje Këshillit të Ministrave që ta vënë këtë vendim në asamblenë tonë kështu që të vazhdojmë me pranimin e Kosovës. Mendoj se të gjithë, jo vetëm kosovarët, por të gjithë do të përfitojnë nga një anëtar i ri. Mendoj se Kosova është gati dhe ne jemi gati për Kosovën”, ka deklaruar ai.
Edhe Britania e Madhe ka mbështetur këtë proces. John Howel, iniciues i debatit, tha se aplikimi i Kosovës në Këshillin e Evropës nuk duhet të mbahet peng i përparimit të dialogut me Serbinë.
Pos Britanisë edhe disa shtete të tjera kanë shprehur gatishmërinë për ta mbështetur Kosovës në këtë mekanizëm të rëndësishëm ndërkombëtar.
Deri me tani Kosova ka arritur të anëtarësohet në disa organizata ndërkombëtare – në mesin e tyre: Banka Botërore, Fondi Monetar Ndërkombëtar, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Komiteti Olimpik, Federata Evropiane e Futbollit dhe Federata Botërore e Futbollit.
Kosova nuk është ende anëtare e Bashkimit Evropian, as e Organizatës Botërore të Tregtisë, as e Organizatës Ndërkombëtare të Policisë Kriminale e të tjera.
Serbia ka qenë e angazhuar në fushatë për pengimin e Kosovës së bashku me mbështetësen e saj kryesore në arenën ndërkombëtare, Rusinë.