Ish-ushtari i UÇK-së Nysret Cena u vra me breshëri plumbash në veturën e tij në Kaçanik të Vjetër.
Deri më tani nuk është identifikuar asnjë i dyshuar për vrasjen e tij. Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Ferizajt, Shukri Jashari, tha se hetimet janë duke u zhvilluar në mënyrë shumë intensive.
Kryeprokurori Shukri Jashari zbuloi se targat e veturës Mercedes e cila u gjet e djegur pasi u vra Nysret Cena, janë identifikuar se i takojnë një veture të tipit Passat.
Kryeprokurori tha se dihet kujt i takojnë ato targa dhe sot pritet të gjendet personi dhe të pyetet se si i kanë humbur targat dhe a kanë qenë të lajmëruara në polici.
Ai tha se për këtë vrasje disa hetues janë angazhuar për të kryer hetime edhe në Prishtinë.
“Lidhur me rastin në fjalë kemi autorizuar policinë, hetimet janë duke u zhvilluar në mënyrë shumë intensive. Disa hetues janë angazhu kah Prishtina disa kah regjioni ynë.
Janë vetëm tabelat e veturës që kanë qenë të vendosura në veturën e djegur Mercedes i takojnë një veture Passat, është identifiku kujt i takojnë. Policia ka me gjetë personin me ditë qysh i kanë humb tabelat, a kanë qenë të lajmëruara në polici”, tha Jashari për Gazetën Express.
Po ashtu konfirmoi se akoma nuk ka persona të dyshuar për vrasjen e 48-vjeçarit.