Paraditen e sotme djali i ish-kryeministrit Sali Berisha, Shkëlzen Berisha mbërriti në prokurorinë e Posaçme, SPAK. Shkëlzen Berisha mbante në duar dhe një dosje dhe ka hyrë në derën e SPAK, i vetëm, i pashoqëruar nga ndonjë avokat.
Zyrtarisht nuk dihet ende arsyeja përse Shkëlzen Berisha është thirrur në SPAK nga prokurori Klodian Braho, por dyshimet të çojnë te dosja e “Gërdecit”. Emri i tij është lakuar jo vetëm në media, por edhe në një shkresë ku shkruhej “për Shkëlzen Berishën” përpara tragjedisë së “Gërdecit”.
Çfarë ishte shkresa?
Një shkrim i zakonshëm dore, mbi një shkresë zyrtare të Ministrisë së Drejtësisë, dyshohet se ishte filli i një sërë procedurash për ndërtimin e fabrikës në Gërdec. Dokumenti i shumëpërfolur në qarqet politike të Tiranës dhe në Kuvendin e Shqipërisë, dyshohet se është një faks i nisur nga zyra e ish-ministrit Aldo Bumçi dhe që mban shënimin: “për Shkëlzen Berishën” në anë të letrës. Dokumenti i firmosur nga Bumçi asokohe, dyshohet se miratonte lëvizjen ligjore për të përligjur demontimin e armëve në Gërdec dhe i drejtohej ministrit të Mbrojtjes së asaj kohe, Fatmir Mediu.
Hetimi dhe mohimi
I thirrur nga SPAK si person që ka dijeni, disa javë më parë Aldo Bumçi u ndal gjatë tek kjo shkresë që hodhi dyshime mbi të, në anë të së cilës ishte shkruar emri i Shkëlzen Berishës, djali i ish-kryeministrit Berisha në atë kohë.
Bumçi mohoi që shënimi të ishte i vërtetë dhe hodhi akuza se ajo është falsifikuar, pasi shkrimi i dorës nuk është i tij. Duke kërkuar një hetim të kaligrafisë në këtë rast, ish-ministri u shpreh se kronologjia e ngjarjes nuk përputhet me dokumentet. Pak ditë më parë SPAK i komunikoi akuzën për shpërdorim detyre ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu.