Arrestohet inspektori i Agjencisë së Barnave, në kërkim shoku i tij. Dy inspektorët Luan Cici i arrestuar dhe Armando Luka në kërkim, sipas prokurorisë së Tiranës ishin nën hetim.
Gjatë ushtrimit të detyrës u kanë kërkuar farmacive në Tiranë shuma monetare që variojnë nga 30.000 -50.000 lekë si shpërblim që të mos i ndëshkojnë me masa administrative kur i konstatojnë me shkelje.
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë ka regjistruar procedimin penal nr.1731, viti 2022 për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës” të parashikuar nga neni 248 i K.Penal, hetime këto të ndërlidhura dhe derivuara nga procedimi nr.553 i vitit 2021.
Në kuadër të hetimeve të procedimit penal nr.553/2021 për veprën penale “Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë” dhe “Magazinimi i mallrave që janë kontrabandë”, pas kontrollit të ushtruar brenda subjekteve farmaci, janë gjetur barna kontrabandë.
Shitja e tyre, dyshohet se është favorizuar nga punonjësit e Agjencisë Kombëtare të Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore.