Arkivi Kombëtar u ka kërkuar ish-presidentëve dhe nënpresidentëve të SHBA-ve që të rishikojnë të dhënat e tyre personale për çdo dokument të klasifikuar pas lajmit se presidenti Joe Biden dhe ish-nënpresidenti Mike Pence kishin dokumente të tilla në zotërim.
Arkivat u dërguan një letër të enjten përfaqësuesve të ish-presidentëve dhe nënpresidentëve, duke shkuar deri në periudhën e presidentit Ronald Regan për të siguruar pajtueshmërinë me Aktin e të dhënave presidenciale, sipas një kopjeje të marrë nga agjencia Associated Press.
Arkivat ua dërguan letrën përfaqësuesve të ish-presidentëve Donald Trump, Barack Obama, George W. Bush, Bill Clinton, George H.W. Bush dhe Ronald Reagan, dhe ish-nënpresidentëve Pence, Biden, Dick Cheney, Al Gore dhe Dan Quayle.
Përgjegjësia për të respektuar Aktin e të dhënave presidenciale “nuk zvogëlohet pas përfundimit të një administrate,” shkruante Arkivi në letër.
Zëdhënësit e ish-presidentëve Trump, Obama, Clinton dhe ish-nënpresidentëve Pence, Dick Cheney, Al Gore dhe Dan Quayle nuk iu përgjigjën menjëherë kërkesave për koment. Freddy Ford, shefi i kabinetit të ish-presidentit George W. Bush, sugjeroi në përgjigjen e tij për Arkivin se zyra e zotit Bushit nuk besonte se një kërkim ishte i nevojshëm, duke thënë: “Faleminderit për shënimin tuaj. Ne e kuptojmë qëllimin e tij dhe mbetemi të sigurt se asnjë material i tillë nuk është në zotërimin tonë.”
Avokatët e presidentit Biden hasën në dokumente të klasifikuara nga koha e tij si zëvendëspresident në një kabinet të mbyllur, teksa po paketonin një zyrë që ai nuk e përdor më në nëntor. Që atëherë, kërkimet e mëvonshme nga FBI dhe avokatët e Bidenit kanë gjetur më shumë dokumente.
Arkivi nuk bëri asnjë koment. Trajtimi i dokumenteve të klasifikuara ka qenë një problem i vazhdueshëm për dekada, nga presidentët tek anëtarët e kabinetit dhe stafi nëpër administrata të shumta që shtrihen deri tek Jimmy Carter. /VOA