Gjykata Themelore në Prizrenka lënë një muaj në paraburgim të dyshuarin F.K për kërcënimin e kryetarit të Prizrenit, Shaqir Totaj.
Me rastin e caktimit të paraburgimit, Gjykata ka marrë parasysh faktin se hetimet në këtë çështje penale sapo kanë filluar dhe duhet të mblidhen prova të tjera për zbardhjen e rastit e me lënien në liri të të pandehurit ekziston rreziku i ndikimit në dëshmitar apo asgjësimit dhe fshehjes së provave, apo i pandehuri mund të ikë me qëllim të shmangies nga përgjegjësia penale.
“Për shkak të mosmarrëveshjeve paraprake ne lidhje me një kontest pronësor me komunën e Prizrenit, i pandehuri F.K., ditën kritike përmes një personi të tretë, i dërgon porosi djalit të të dëmtuarit me fjalët se ‘thuaj djalit të Kryetarit le ti thotë babës vet le të ndalet sepse nëse ai nuk ndalet edhe ma rrezon shtëpinë unë djalin e tij ose e rrahi ose e mys krejt’, me çka me këtë veprim tek i dëmtuari Sh.T., dhe familja e tij ka shkaktuar frikë, ankth dhe pasiguri për jetë…. Kurse a do të argumentohen këto fakte do të vlerësohet në fazat e mëtejme të procedurës penale”, thuhet në njoftim.