Ministri i Mbrotjes Niko Peleshi gjatë vizitës që zhvilloi në SHBA u prit nga homologu amerikan Lloyd Austin.
Ai tha se Sekretari Austin dha garanci për mbështetjen e vazhdueshme të Uashingtonit për sigurinë në rajon. Peleshi u shpreh se i paraqiti sekretarin amerikan planin për Portin e Durrësit.
“Sot kemi diskutuar edhe për portin e ri të Porto Romano-s, i cili krahas portit komercial është projektuar të ketë edhe një port ushtarak. Unë i kam prezantuar në detaje rëndësinë strategjike të këtij porti Sekretarit Austin.
E kemi prezantuar edhe në NATO. Kryeministri ia ka prezantuar Sekretarit të Përgjithshëm. Ndërkohë unë kam qenë në takim me Gjeneral (Christopher Gerard) Cavoli-n, para pak javësh. Kemi folur për këtë projekt.
Ky projekt, i lidhur me korridorin e 8-të, për të cilin po punohet fort nga të 3 shtetet, Bullgaria, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria, e bën këtë korridor jo vetëm një korridor, që shërben për t’u lidhur.
Por edhe një korridor sigurie, sepse vendet e Detit të Zi, i cili është tensionuar tashmë, dhe nuk e dimë për sa kohë do të vazhdojnë tensionet aty, kanë një mundësi përmes korridorit të 8-të të dalin në Adriatik, pikërisht tek pika fundore që do të jetë porti i Porto Romano-s. Ky ishte një projekt i ri, nëse ka kërshëri për t’u ndarë me publikun” tha ai.