Qeveria po bën gati “pakon” e dytë për disa kategori në nevojë. Kryeministri Edi Rama e nisi javën duke njoftuar masat që po diskutohen. Në fokus janë mjekët, ushtarakët dhe policët që kanë krijuar një familje të re për ndihmë në strehim.
Pensionistët do të marrin ndihmë financiare në prill. Një tjetër kategori që do të mbështetet janë punonjësit me paga minimale në sektorin privat.
“Politika të reja mbështetëse duke nisur nga pagat minimale, te pagat për disa kategori të veçanta, mbështetja për strehim e mjekëve, ushtarakëve dhe policëve që kanë një familje të re. Pakoja tjetër për pensionistët në pranverë nga rindarja e taksës për eksportuesit e mëdhenj të energjisë.
E dimë që duhet akoma duke filluar nga ata që punojnë me paga minimale në sektorin privat, sidomos ata në prodhim që duhet të paguhen më shumë, sa më parë. Së shpejti do ua bëjmë me dije këto politika” tha ai.
I zhdukur prej disa ditësh që pas daljes së skandalit të “McGonigal” Rama tha se ka qenë sëmurë dhe kishte një këshillë për qytetarët. “Uroj të jeni mirë dhe bëni kujdes me këtë flamën gripale që është vërdallë se e hoqa vetë dhe nuk të bën për burrë”.