Presidenti kroat Millanoviç kritikoi vendet perëndimore duke thënë se Rusia do të përdorë atë që ai e quajti “aneksim i Kosovës” nga komuniteti ndërkombëtar, si një justifikim për marrjen e pjesëve të Ukrainës.
Këto deklarata kanë shqetësuar Unionin e Shqiptarëve në Kroaci.
Ata shprehen shumë të habitur në lidhje me deklaratat e presidentit Millanoviq.
“Duke ditur historinë tonë të përbashkët, të cilën e kaloi Republika e Kroacisë në fillim të viteve 90-të dhe Kosova në vitin 98/99, unë jam thellësisht i habitur dhe i zhgënjyer nga deklarata e Presidentit Millanoviq”, shprehet kryetari i Unionit të Shqiptarëve në Republikën e Kroacisë.
“Meqë të dy kombet tona janë lidhur që nga lufta në Republikën e Kroacisë, kur shqiptarët dolën vullnetarë për mbrojtjen dhe krijimin e Republikës së tanishme të Kroacisë, një deklaratë e tillë nuk është e përshtatshme për marrëdhëniet tona të thella e miqësore që kemi ndërtuar deri më sot”.
“Republika e Kroacisë ishte ndër të parat që njohu pavarësinë e Republikës së Kosovës dhe vendosi marrëdhënie diplomatike dhe politike bazuar në partneritetin, bashkëpunimin dhe ushqyerjen e vlerave evropiane”, thuhet në reagim.
“Gjithashtu, Republika e Kroacisë mbështet fuqishëm përpjekjet e Republikës së Kosovës për integrimin e saj euro-atlantik dhe forcimin e pozitës së saj në Evropën Juglindore.