Lista Serbe tha se formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe duhet të ketë kompetenca ekzekutive dhe se i njëjti duhet të formohet, pasi është obligim që Kosova ka marrë me marrëveshjet e nënshkruara në Bruksel.
Përmes një njoftimi për media, Lista Serbe tha se përfaqësuesit e saj morën pjesë në diskutimin e organizuar nga Ambasada amerikane në Prishtinë lidhur me Asociacionin.
Partia më e madhe e serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar tha se Asociacioni është i nevojshëm “për mbijetesën e popullit serb” dhe se formimi i tij është kërkesë e serbëve në Kosovë.
“Veçmas theksuam se është e nevojshme që Asociacioni të ketë kompetenca ekzekutive, gjegjësisht siç është rënë dakord në Bruksel gjatë negociatave midis Beogradit dhe Prishtinës dhe se krijimi i tij është një obligim që nuk duhet shmangur, sepse duhet të jetë një institucion ombrellë për popullin serb, që do të mbrojë të drejtat individuale dhe kolektive të popullit tonë”, u tha në njoftimin e Listës Serbe.
Në diskutimin e organizuar nga Ambasada amerikane morën pjesë zyrtarë qeveritarë, diplomatë dhe pjesëtarë të shoqërisë civile.
Ambasadori amerikan, Jeffrey Hovenier tha se Shtetet e Bashkuara veçse e kanë bërë të qartë se nuk mbështesin “asnjë marrëveshje që shkel Kushtetutën e Kosovës” ose që “kërcënon sovranitetin, pavarësinë dhe karakterin multietnik” të saj.
Kosova dhe Serbia në kuadër të dialogut për normalizimin e raporteve që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian, kanë arritur dy marrëveshje për Asociacionin më 2013 dhe 2015.
Qeveria e Kosovës e udhëhequr nga Albin Kurti kundërshton formimin e një Asociacioni njëetnik me kompetenca ekzekutive, ndërsa në Beograd insistojnë në themelimin e tij.