Një marrëdhënie e padëshiruar midis fëmijëve dhe gjyshërve të tyre nuk mund të imponohet me ligj, ka vendosur Gjykata e Lartë e Romës duke rrëzuar dy vendime të mëparshme të gjykatës.
Siç raporton gazeta britanike “Guardian” , gjyqtarët vendosën në favor të së drejtës së fëmijëve për të vendosur nëse duan të jenë në kontakt me gjyshërit e tyre.
Në thelb rrëzoi vendimin e gjykatës së Milanos, si dhe të Gjykatës së Apelit e cila urdhëroi fëmijët të kalonin kohë me gjyshërit e tyre nga babai.
Çështja e mëparshme mori rrugën e Drejtësisë kur gjyshërit dhe një dajë nga ana e babait të fëmijëve, i kërkuan një gjykate për të mitur në Milano që të kishin kontakt me fëmijët.
Të afërmit u ankuan se nuk mund t’i shihnin për shkak të mosmarrëveshjes së vazhdueshme të prindërve.
Si gjykata për të mitur, ashtu edhe gjykata e apelit në Milano vendosën në favor të gjyshërve në vitin 2019, duke i urdhëruar ata të shihnin nipërit e tyre, por në prani të një punonjësi social.
Por prindërit argumentuan se këto takime nuk ndikuan pozitivisht tek fëmijët për shkak të tensioneve të vazhdueshme familjare, ndaj u ankuan në Gjykatën e Lartë të vendit.
Gazeta britanike kujton se sipas një ligji për të drejtën familjare të futur në Itali në vitin 2006, fëmija ka të drejtë të ketë marrëdhënie me gjyshërit e tij, edhe nëse prindërit divorcohen.
Gjyshërit gjithashtu kanë të drejtë t’i kërkojnë gjykatës të vendosë nëse vendimi i prindit për t’u mohuar atyre kontaktin me nipërit e mbesat dëmton mirëqenien e tyre dhe për këtë arsye konsiderohet i paligjshëm.