Kriza e mungesës së punëtorëve po ndihet në të gjithë sektorët e ekonomisë, duke u kthyer në një nga problemet më të mprehta të bizneseve.
Që nga prodhuesit e bukës, pastiçerive, përpunuesit e mishit, mobilieve, bare-restoranteve e deri te mungesa e shoferëve të kamionëve në transport, problematika po thellohet, duke u përkthyer në rritje të larta të kostove.
Përveç vështirësive për gjetjen e punonjësve, bizneset po përballen edhe me fenomenin e largimit të punonjësve aziatikë, kryesisht atyre nga Bangladeshi që e përdorin Shqipërinë si trampolinë për të emigruar drejt Europës.
Përballë rrezikut për largimin e punonjësve, siç po ndodh me disa biznese të tjera, kompanitë po e konsiderojnë marrjen e punonjësve nga Egjipti një fazë eksperimentale, pasi nuk mbetet rrugëzgjidhje tjetër për gjetjen e burimeve njerëzore.
Për shkak të largimit të punonjësve të vendeve aziatike që po ndodh në sektorë të tjerë të ekonomisë prodhuesit e bukës kanë mbetur të stepur para punësimeve të huajve.
Shoqata e Bareve dhe Restoranteve deklaroi se i mungojnë 15,000 punonjës, ku arsyeja kryesore mbetet emigracioni, kryesisht i të rinjve. Para krizës së pandemisë në 2019, sipas të dhënave të INSTAT, numri i të punësuarve në këto struktura arrinte 45,000 punonjës. Për zgjidhjen e kësaj problematike, prej 3 muajsh bizneset po kërkojnë punonjës nga Filipinet.
Shoqata e Bareve dhe Restoranteve rekomandon si zgjidhje përfshirjen në këtë mungesë të theksuar të fuqisë punëtore të komunitetit rom të Shqipërisë nëpërmjet zyrave shtetërore të punësimit.
Shoqata shpreh gatishmërinë për nisjen e trajnimeve vullnetare për këtë kategori të shoqërisë me qëllim punësimin e tyre në bare dhe restorante, por kërkon ndërhyrjen e shtetit që kërkesa për punësime të kanalizohet nëpërmjet zyrave të punësimit shtetëror./monitor