Ai tha se është përgjegjësia e spektri politik të vendit që të marrë përgjegjësi për shtetin e Kosovës dhe të lëvizë përpara në procesin e dialogut, përfshirë edhe Asociacionin. Ish-kryeministri thotë në intervistë se Kosova “në historinë e saj asnjëherë nuk ka qenë në një pozitë më të disfavorshme sa i përket procesit të dialogut dhe marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.
Zëri i Amerikës: Zoti Hoti, fillimisht desha t’ju pyes se sa realiste është plotësimi i kushteve që ka parashtruar kryeministri Kurti për Asociacionin?
Avdullah Hoti: Mendoj që janë jo relevante për diskutimin që po bëhet. Kosova ka filluar procesin e dialogut që nga viti 2011. Më 2013 është nënshkruar marrëveshja e përgjithshme dhe pastaj janë nënshkruar plot marrëveshje nëpër sektorë të ndryshëm që e kanë shtrirë sovranitetin e shtetit të Kosovës në gjithë territorin deri në masën që Kosova sot ka Zyrën Ndërlidhëse në Beograd. Tani jemi në një faze kritike të dialogut i cili për hir të vërtetës kishte strukturën shumë të mirë në qeverinë paraprake. Por kjo qeveri e ndërroi formatin e dialogut. Jemi në një pikë kritike kur duhet të bëjmë një hap të madh përpara. Sa i përket Asociacionit, është marrëveshja e vitit 2013 që është ratifikuar në Kuvend, pra që e ka bërë Asociacionin obligim të shtetit të Kosovës. Është marrëveshja e parimeve pastaj e vitit 2015 e cila e ka vendosur një siguresë ku thuhet që Statuti i Asociacionit e merr pëlqimin e Gjykatës Kushtetuese përpara se të dekretohet nga ana e qeverisë dhe janë deklarimet e vazhdueshme të partnerëve tanë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në veçanti, lidhur me Asociacionin që do të thotë se nuk do të jetë strukturë jashtë Kushtetutës së Kosovës. Tani është përgjegjësia e jona si spektër politik që të marrim përgjegjësi për shtetin e Kosovës dhe të lëvizim përpara në proces të dialogut, përfshirë edhe Asociacionin.
Zëri i Amerikës: Para se të vazhdojmë me Asociacionin, për çfarë e keni fjalën kur thoni që ndryshimet e formatit nga qeveria e tanishme paten ndikim kaq të madh në qasjen ndaj këtyre çështjeve?
Avdullah Hoti: Dialogu u bllokua në vitin 2018 nëse ju kujtohet kur u vendos taksa 100% për mallrat nga Serbia, në qeverinë Haradinaj. Kur unë kam qenë Kryeministër, ne u pajtuam për Kornizën e Marrëveshjes Përfundimtare për njohje reciproke dhe normalizim të marrëdhënieve dhe ne filluam ta negociojmë dhe i mbyllëm disa prej kapitujve të asaj marrëveshje. Në këtë qeveri u ndryshua formati, dolën me disa pika para dy vitesh kur filluan dialogun në Bruksel pasi e morën detyrën, pika që në fakt e ndryshuan në tërësi qasjen në dialog dhe pastaj zhvillimi ndërkombëtar sigurisht me luftën në Ukrainë dhe zhvillimet në rajon, është krijuar një kontekst tjetër. E mira është që tani kemi vëmendje të plotë të partnerëve ndërkombëtarë për të përmbyllur çështjet që i kemi me Serbinë. Propozimi që na është ofruar, edhe pse nuk është bërë zyrtar asnjëherë nga ana e kryeministrit sepse nuk është raportuar në Kuvend edhe pse ka dhënë komente gjatë muajve të fundit të vitit të kaluar, është një hap që duhet ta marrim në konsiderim. E nevojshme është që spektri politik të mblidhen bashkë, ta diskutojnë bashkë. Të krijohet ai kohezioni i nevojshëm edhe politik edhe shoqëror për të lëvizur përpara. E vërteta gjithashtu është që Kosova në historinë e saj asnjëherë nuk ka qenë në një pozitë më të disfavorshme sa i përket procesit të dialogut dhe marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Zëri i Amerikës: Duke patur parasysh se theksi më i madh këto kohët ka qenë tek asosacioni, nga pikëpamja juaj si duhet zbatuar kjo marrëveshje?
Avdullah Hoti: Asosacioni është bërë pjesë e rendit kushtetues të Kosovës, është përgjegjësi e bartësve të institucioneve të sigurohen që këto obligime ndërkombëtare që i ka marrë Kosova, i ka bërë pjesë të rendit kushtetues, t’i zbatojë në koordinim të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë dhe të sigurohet që të zbatohen brenda kushtetutës së Kosovës.
Zëri i Amerikës: Po për asosacionin, siç e thamë më herët, Uashingtoni ka dhënë garanci që ajo nuk do të kthehet në një “Republika Srpska”. A mendoni se premtimi i Uashingtonit është i mjaftueshëm për të qetësuar shqetësimet në këtë drejtim?
Avdullah Hoti: Uashingtoni ka kërkuar në 1999 që ne të nënshkruajmë marrëveshjen e Rambujesë, me premtimin që do të bombardohet Serbia. Një president amerikan në Tiranë ka thënë se mjaft është mjaft dhe Kosova duhet të bëhet e pavaruar dhe Kosova është bërë e pavarur. Partneritetin që e kemi me Shtetet e Bashkuara është ekzistencial, nuk është vetëm një partneritet diplomatik siç mund ta kemi me plot vende të tjera nëpër botë që na kanë njohur, por është partneritet ekzistencial. Marrëdhëniet e ngushta me Shtetet e Bashkuara janë në thelbin e vetë ekzistencës së shtetit të Kosovës.
Zëri i Amerikës: Diplomatët amerikanë dhe perëndimorë në përgjithësi këmbëngulin që te gjendet një model nga Kosova, bazuar në modelet europiane, për të krijuar asosacionin, por asnjë nga qeveritë e deritanishme nuk ka paraqitur një model të tillë, përfshirë tuajën. Pse?
Avdullah Hoti: Nuk ka modele të tjera. Modelet janë brenda kushtetutës. Eshtë marrëveshja e nënshkruar e 2013, është marrëveshja tjetër e 2015, është vendimi i Gjykatës Kushtetuese, për marrëveshjen e Asosacionit. Ajo çfarë kërkohet është zbatimi në praktikë dhe marrja e përgjegjësisë nga bartësit e institucioneve.
Zëri i Amerikës: E kam fjalën më shumë për një model ku mund të bazoheni…
Avdullah Hoti: Nuk ka modele, modeli është i nënshkruar, është vendimi i Gjykatës Kushtetuese që duhet të merret parasysh në praktikë. Përshtypja ime është që bartësit e institucioneve në vend po fshihen pas këtyre dogmave populiste të Asosacionit në vend që të marrin përgjegjësi për të çuar përpara procesin e dialogut, në vend që të konsiderojnë me shumë përgjegjësi shtetërore, propozimin franko-gjerman, ose propozimin evropian siç po quhet për marrëveshjen me Serbinë ta ndajnë me partitë politike, ta diskutojnë me qytetarët, ta informojnë Kuvendin dhe të shihet se si mund të arrihet kohezioni i nevojshëm dhe konsensusi i përgjithshëm, jo vetëm politik, por edhe shoqëror sepse ne kemi nevojë për arritje të konsensusit shoqëror, jo vetëm mes shqiptarëve, por gjithë qytetarëve që jetojnë në Republikën e Kosovës.
Zëri i Amerikës: Dhe pikërisht në ketë kontekst që ju thoni, për ndarjen e përgjegjësisë dhe bashkëpunimit, çfarë roli po luan opozita dhe ndoshta më konkretisht partia juaj për një zgjidhje të situatës aktuale?
Avdullah Hoti: Partia ime në opozitë është partia më konstruktive në të gjitha proceset. Historikisht ne u kemi vendosur vulë zhvillimeve që kanë ndodhur në Kosovë. Edhe tani në opozitë po mundohemi të mbështesim qeverinë për të çuar para këtë përgjegjësi që nuk është vetëm e tyre, por tani janë ata bartës të institucioneve dhe duhet të lëvizin përpara. Opozitë më mbështetëse, përkrahëse, konstruktive nuk ka patur asnjëherë Kosova. Kosova asnjëherë nuk ka patur qeveri më të papërgjegjshme për të çuar proceset përpara. Jemi në fazë kritike, unë shpresoj që në javët e ardhshme do të zhvillohet një debat shumë substancial brenda institucionit, brenda Kuvendit të Kosovës për t‘u dakordësuar se si lëvizim përpara.
Zëri i Amerikës: Ka nga ata që mund të thonë që në këto momente, pikërisht kritike, një opozitë më kontruktive dhe bashkëpunuese do të ishte një qëndrim më i përshtatshëm duke patur parasysh se sa e mprehtë është situata në këto momente.
Avdullah Hoti: Mendoj se ato janë dogma të politikës lokale, ne kemi nevojë për bashkërendim të aktiviteteve, për koordinim me partnerët tanë ndërkombëtarë se si lëvizim përpara, cilat janë përfitimet e Kosovës nga pranimi i propozimit që na është dhënë, çfrarë mund të nxjerrim nga ai propozim. Eshtë e qartë se ai propozim nuk është ideal, ideale është njohja reciproke, marrëveshja përfundimtare, por duhet të hapim debatin dhe të gjejmë zgjidhjen më të mirë të mundshme. /VOA