Partia Demokratike ka reaguar ashpër pas vendimit të këshillit bashkiak të Tiranës për të zëvendësuar emërtimin e rrugës “Ibrahim Rugova” në Tiranë duke e cilësuar të padenjë dhe të paudhë, “akt flagrant anti-politik e anti-kulturor këtë veprim të Rama-Veliajt”.
“Janë me qindra rrugët e Tiranës, me emra atentatorësh, bablokësh të Bllokut apo të pleqve të fiseve të komunarëve të Rilindjes, që Rama-Veliaj mund të kishte zgjedhur për “Dëshmorët e 4 shkurtit”.
Nuk hoqi apo shkurtoi përgjysmë asnjë prej tyre, sepse ata kanë një afinitet me dhunuesit, ata kulturorë dhe politikë, por u shkoi mendja e mbrapshtë te Ibrahim Rugova.
Ky akt jo vetëm cënon të djathtën historike dhe moderne, të këtej dhe andej kufirit, por provokon në mënyrë të hapur, pak ditë nga përvjetori i 15-të i Pavarësisë së Kosovës, për të cilën Ibrahim Rugova dha një kontribut vendimtar.
Partia Demokratike zotohet se do ta kthejë emrin e Ibrahim Rugovës aty ku ishte. Siç do të kthejë të gjitha vendimet të cilat anulojnë historinë e shqiptarëve në favor të Rilindjes. Jo asaj Kombëtare, por të Sojsorollopit që kërkon të bëjë politikë edhe aty ku ka vendosur njëherë e mirë historia” tha zëdhënësja e PD-së, Floriana Garo.
Riemërtimi është bërë në nder të 80 viktimave të “Masakrës së 4 shkurtit” dhe rolit të kolaboracionistit Xhafer Deva. Rruga ndodhet në Tiranë në segmentin pranë Bankës së Shqipërisë deri te ura e Lanës.
Por kryebashkiaku Erion Veliaj, mohon që të ketë një shkurtim të rrugës. Ai thotë se është bërë një saktësim i segmenteve dhe se rruga në nder të presidentit të Kosovës është zgjatur. “Faktet janë këto që Rruga është zgjatur dhe emërtimi i rrugës tjetër nga ‘4 shkurti’ është bërë ‘Dëshmorët e 4 Shkurtit” tha ai. Debati vazhdon…