Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta i ka ngritur katër shqetësime kreut të OSBE-së në Tiranë Guido De Sanctis, mes tyre dosjen e vulës së PD-së.
“Mirëprita në një takim ditën e sotme, Ambasadorin e ri të Prezencës së OSBE-së në Tiranë, Ambasador Guido De Sanctis.
Diskutuam gjerësisht për realizimin me një standard të lartë të zgjedhjeve të 14 Majit, si moment politik shumë i rëndësishëm për vendin.
Ndava me Ambasadorin De Sanctis:
- Shqetësimet lidhur me situatën parazgjedhore e në mënyrë të veçantë mbi presionet dhe shpërdorimin e administratës publike në funksion të qëllimeve elektorale të qeverisë.
- Ecurinë shumë problematike të Reformës Zgjedhore, e në veçanti të punës së Komisionit Parlamentar për Reformën Zgjedhore, i cili për shkak të vullnetit negativ të mazhorancës nuk po adreson çështjet thelbësore që kanë dëmtuar rëndë standardin e zgjedhjeve.
- Bllokimin e paligjshëm të regjistrimit të PD-së për shkak të kapjes së gjykatave nga
kryeministri.
- Uzurpimin e veprimtarisë së Parlamentit për shkak të akteve antikushtetuese të maxhorancës duke penguar komisionet hetimore, interpelancat, debatin parlamentar, pra kontrollin dhe llogaridhënien nga Parlamenti.
Në veçanti e njoha me të gjitha projektligjet e Partisë së Lirisë, të cilat janë bllokuar me arrgoancë nga mazhoranca, në kundërshtim me rregulloren dhe procedurat e Parlamentit” shkruan Meta.








