Sekretarja për Marrëdhëniet me Publikun në PD, Jola Hysaj ka denoncuar sërish skandalin me aplikacionin ‘Akt1visti’, nëpërmjet të cilit ajo thotë se qeveria e Edi Ramës detyron punonjësit e administratës në orar zyrtar. Në një deklaratë nga selia blu, Hysaj i bëri thirrje SPAK të hetojë këtë skandal pasi faktet janë denoncuar edhe nga vetë zyrtarët e majtë.
“Në media është publikuar një dëshmi e një zyrtari i cili rrëfen se drejtues të lartë në ministri të cilët janë vendosur me urdhër partie në këtë detyrë, qëllim të vetëm kanë shërbimin elektoral ndaj Partisë Socialiste dhe për këtë fakt janë të ngarkuar të urdhërojnë vartësit të shkarkojnë aplikacionin “Akt1visti”.
Një burim i administratës në kushte anonimati thotë se nëse angazhohesh në faqet e Edi Ramës, Belinda Ballukut dhe ministrave të tjerë, një like është 5 pikë, një share 15 pikë. Skandali shkon përtej imagjinatës kur në administrate, në institucionet qendrore dhe vendore, kryhen mbledhje të rregullta për të ndjekur mbarëvajtjen e aplikacionit dhe përdoruesit e tij.
Partia Demokratike i bën sërish thirrje SPAK-ut të nis urgjentisht hetimet kundër personave përgjegjës të prodhimit dhe shpërndarjes të aplikacionit “Aktivisti”, me anë të cilit drejtuesit e lartë të shtetit po shantazhojnë punonjësit e administratës në kundërshtim të plotë të ligjit për shërbimin Civil dhe Kodin e Punës” deklaron PD.