Pas heshtjes disa javore mbi kërkesën gjithmonë e më këmbëngulëse të Bashkimit Europian dhe SHBA-ve ndaj Kosovës për të pranuar krijimin e të ashtuquajturit “Asocacion i komunave me shumicë serbe”, Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë mbajti një qëndrim të dyzuar në përgjigje të një kërkese për koment nga BIRN, ku në gjysmën e fjalisë mbështetet qëndrimi i qeverisë së Kosovës e në gjysmën tjetër ai i partnerëve ndërkombëtarë.
Pas tensioneve dhe një serie incidentesh në Veri të Kosovës në fund të vitit të kaluar, Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë rritur presionet për një marrëveshje të ashtuquajtur përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë. Në tavolinë është një plan që njihet gjerësisht si “Propozimi Franko-Gjerman”.
Marrëveshja, siç thonë palët, ka si qëllim të normalizojë marrëdhëniet mes Serbisë dhe Kosovës dhe të shmangë përshkallëzim të konfliktit. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në një sqarim në parlament për këtë plan thotë ndër të tjera se ai përfshin njohjen reciproke, normalizimin e marrëdhënieve dhe zbatimin e marrëveshjeve të mëparshme, përfshi atë për krjimin e një “Asocacioni të komunave me shumicë serbe”.
Kjo ka sjellë rritje të presionit ndërkombëtar ndaj Kosovës. Përmes një letre të hapur më 30 janar, Derek Chollet, Këshilltar i Departamentit Amerikan të Shtetit dhe Gabriel Escobar, i dërguari i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, apeluan që asociacioni të krijohej.
Në këtë situatë, Tirana zyrtare ka zgjedhur të heshtë publikisht. Në përgjigje të një kërkese për koment nga BIRN, Ministria e Jashtme e quan vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës të panegociueshëm, por mbështet negociatat për Asosacionin./Reporter.al