SPAK njoftoi këtë të mërkurë përfundimin e hetimeve paraprake dhe dërgimin për gjykim të dosjes në ngarkim të ish-ministrit Fatmir Mediu. Ai akuzohet për shpërdorim detyre, për tragjedinë e Gërdecit. Por SPAK njofton se ka nisur një procedim të ri për këtë dosje për korrupsion dhe pastrim parash. Procedimi i ri i regjistruar në ditët e para të këtij viti nuk dihet nëse është bërë para apo pas marrjes në pyetje të djalit të ish-kryeministrit Berisha, Shkëlzen Berisha për këtë dosje.
Çfarë ishte shkresa për Shkëlzen Berishën?
Një shkrim i zakonshëm dore, mbi një shkresë zyrtare të Ministrisë së Drejtësisë, dyshohet se ishte filli i një sërë procedurash për ndërtimin e fabrikës në Gërdec. Dokumenti i shumëpërfolur në qarqet politike të Tiranës dhe në Kuvendin e Shqipërisë, dyshohet se është një faks i nisur nga zyra e ish-ministrit Aldo Bumçi dhe që mban shënimin: “për Shkëlzen Berishën” në anë të letrës. Dokumenti i firmosur nga Bumçi asokohe, dyshohet se miratonte lëvizjen ligjore për të përligjur demontimin e armëve në Gërdec dhe i drejtohej ministrit të Mbrojtjes së asaj kohe, Fatmir Mediu.
Hetimi dhe mohimi
I thirrur nga SPAK si person që ka dijeni, disa javë më parë Aldo Bumçi u ndal gjatë tek kjo shkresë që hodhi dyshime mbi të, në anë të së cilës ishte shkruar emri i Shkëlzen Berishës, djali i ish-kryeministrit Berisha në atë kohë. Bumçi mohoi që shënimi të ishte i vërtetë dhe hodhi akuza se ajo është falsifikuar.
SPAK çon Mediun në gjyq për Gërdecin! Nis hetimi për korrupsion dhe pastrim parash