Deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji deklaroi sot se është e paprecedentë që të përjashtohen nga Kuvendi 11 deputetë demokratë për një javë. Salianji theksoi se qeveria nuk do t’i mbyllë gojën opozitës.
“Kërkojnë të ulet numri i deputetëve që japin argumente për të mbrojtur interesin publik. Edhe proceduralisht siç e keni ndjekur, edhe pse mbledhja u bë e mbyllur, kërkesa zyrtare duhet të shqyrtohet brenda 48 orëve. Është një proces nul. Kemi kërkuar që; aman merrni vendimin për përjashtim.
Por ka ndodhur diçka e paprecedent, pasi janë 11 deputetë të përjashtuar në 1 javë. Kërkesa për përjashtimin tonë është bërë në Parlament nga 7 deputetë që nuk flasin kurrë në Kuvend. Ne kërkuam llogari për punën e kryeministrit. Në krye të listës që ka firmosur është deputeti i lidhur me bandat e Durrësit.
Këta që kanë larguar 700 mijë njerëz nga vendi, nuk na tutin dot. Në 11 shkurt jemi me qytetarët në shesh për të protestuar, kundër megaskandalit McGonigal”, tha Ervin Salianji.