Zbardhen detaje të reja nga ngjarja e rëndë që ndodhi në orët e para të ditës së djeshme në QSUT. Pesë persona rrahën mjeken dhe kundërshtuan policët, pasi personi i afërt u vdiq me dyshimet se ishte me koronavirus.
Nga nervozizmi, që sipas tyre mjekja nuk bëri maksimumin, thyen dyer dhe dritare. Igli Spahija 41 vjeç dhe Bledar Bali 54 vjeç u arrestuan, ndërsa K. S. 50 vjeç, E. Xh. 47 vjeç dhe A. M. 55 vjeç u proceduan në gjendje të lirë.
Igli Spahija dhe vëllai i tij K. S. (50 vjeç) kanë pasur vëllain tjetër të shtruar në repartin e Infektivit, pasi ka qenë i infektuar me virusin COVID-19. Sipas sqarimit të spitalit i ndjeri ka pasur dhe sëmundje të tjera bashkëshoqëruese, ndërsa mbrëmjen e djeshme ka pësuar atak kardiak duke ndërruar jetë.
Në momentin kur mjekja u ka komunikuar familjarëve vdekjen e tij, vëllezërit dhe personat e tjerë të arrestuar dhe proceduar në gjendje të lirë kanë hyrë në ambientet e spitalit duke u konfliktuar fillimisht me rojen e Policisë Private të Infektivit dhe më pas me stafin mjekësor, duke goditur edhe doktoreshën që ka mbetur e lënduar.
Dy nga të hetuarit që u konfliktuan me mjekët dhe infermierët dyshohet se ndodheshin nën efektin e alkoolit. Lidhur me këtë ngjarje reagoi edhe Ministria e Shëndetësisë, e cila theksoi se dhuna është e patolerueshme pavarësisht dhimbjes së familjarëve për një jetë të humbur.
Grushte në Tiranë! Pesë persona rrahin mjeken e policët, thyejnë dyer e dritare