Shtetasit e vendeve të treta që lejohen të hyjnë pa viza ose me vizë afatshkurtër në Zonën Shengen, së shpejti nuk do të kenë më vulë në pasaportat e tyre.
Të dhënat për hyrjen dhe daljen në bllok, do të regjistrohen përmes një sistemi të ri të automatizuar – Sistemi Hyrje/Dalje (Entry/Exit System, EES).
Sistemi i hyrje/daljes është një sistem i ri i automatizuar, i cili pritet të fillojë përdorimin plotësisht në fund të këtij viti. Sistemi do të shërbejë për të gjurmuar udhëtarët e vendeve të treat, që hyjnë në BE, si dhe për të zbuluar ata që i kanë shkelur afatet e qëndrimit.
EES do të zëvendësojë sistemin aktual të vulosjes manuale të pasaportave, i cili është shumë i ngadaldtë, nuk ofron të dhëna të besueshme për kalimet kufitare dhe nuk lejon gjithnjë identifikimin e personave që kanë kaluar afatin e qëndrimit.
Njëkohësisht, synohet modernizimi i disa procedurave të tjera, që udhëtarët nga vendeve jashtë BE duhet të ndjekin kur të arrijnë në bllok. Në këtë mënyrë u mundësohet udhëtarëve një kalim më i shpejtë i kufijve.
Për më tepër, sistemi do të regjistrojë të dhëna specifike për udhëtarët, si emrin e tyre, gjurmët e gishtërinjve, fytyrën, llojin e dokumentit të udhëtimit, datën dhe vendin e hyrjes, datën dhe vendin e daljes, si dhe periudhën e qëndrimit të tyre në zonën Shengen.
/Monitor