Policia e Vlorës ka sekuestruar tashmë vilën e 42-vjeçarit Lorenc Xhferri, në të cilën u gjetën të përshtatura dy kate për kultivim të kanabis sativa.
Gjithashtu bëhet me dije se kanë nisur procedurat për sekuestrimin edhe të një hoteli me vlerë 4-5 milionë euro në pronësi të tij në zonën e Lungomares, hotel “Florence”, i cili ka dyshime se është ngritur si rezultat i aktiviteteve kriminale të Xhaferrit.
Polica ka ngritur dyshime se Xhaferri ka kryer aktivitet kriminal në fushën e prostitucionit jashtë territorit të vendit, ndërsa në Shqipëri nuk ka pasur të regjistruar asnjë procedim.
Kujtojmë që në sajë të një operacioni anti-drogë në Vlorë janë zbuluar një shtëpi bari dhe janë arrestuar 6 persona, ndërsa dy janë shpallur në kërkim.
Në shtëpinë e barit që u zbulua në fshatin Kropishtë, u arrestuan shtetasit Dritan Koçiraj, Niko Dhima, Florjan Çaushaj dhe u bë shpallja në kërkim e shtetasit Përparim Koçiraj.
Ndërsa në lagjen “10 Korriku”, u arrestuan në flagrancë shtetasit Ledjon Zahaj, Edmond Begaj dhe Gentjan Metushi si dhe u bë shpallja në kërkim e shtetasit Lorenc Xhaferri.
Ndërkohë sipas policisë u sekuestruan edhe 11 kilogramë kanabis në formë boçeje, 534 bimë narkotike, 156 llamba, 123 reflektorë, 11 ventilatorë, 4 aspiratorë, 7 kondicionerë dhe sende të tjera që i shërbenin kësaj veprimtarie kriminale. Bllokohet vila me ambiente të përshtatura për kultivimin e bimëve narkotike, me llamba.