Pas lajmeve trishtuese se numri i viktimave rritet çdo minutë edhe më shumë si pasojë e tërmetit në Turqi e Siri, ka edhe lajme shpresëdhënëse të shpëtimeve të të mbijetuarve pavarësisht ditëve të tëra nën rrënoja.
43-vjeçari, Cem Okur dhe vajzës së tij 8-vjeçare, Tanem dolën nga rrënojat në Hataj pas 101 orësh.
Babai dhe vajza u dërguan në spitalin e qytetit të Adanas dhe treguan për mediat turke historinë e tyre se si nuk iu dorëzuan vdekjes.
Në momentin që kuptoi se nuk mund të bënte asgjë veçse të priste të shpëtonin, Cem rrëfen se vendosi që të mbante lart moralin e tij dhe të vajzës duke luajtur lojën “letër, gërshërë, gur”.
“Ne nuk mund të shiheshim por vendosëm të luanim për sa kohë mund të dëgjonim njëri tjetrin. Ajo fitonte shumë shpesh, nuk e di a më ka gënjyer apo jo”, rrëfen 43-vjeçari duke buzëqeshur.
Ndërsa skuadrat po garonin me kohën për t’i arritur, babë e bijë arritën të ishin të qetë vetëm falë kësaj loje.
43-vjeçari rrëfen se kishte momente që vogëlushja i thoshte se ishte e uritur apo e etur dhe se e vetmja mënyrë që mund t’i shkonte ndërmend për ta qetësuar ishte të flisnin dhe të nisnin të ëndërronin sikur këto gjëra nuk u mungonin.