-sidi education-spot_img
20.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Drama “Osman Taka” shfaqet premierë në Teatrin Kombëtar Eksperimental

Kryesoret

“Osman Taka”, një  dramë e fuqishme dhe tronditëse, me mesazh filozofik shkruar nga Arben Iliazi dhe regji të Naun Shundit, u shfaq  premierë më 11 shkurt në Teatrin Kombëtar Eksperimental.

Publiku që kishte mbushur sallën u mahnit me lojën e aktorëve të mirënjohur: Vin Bejleri, Ola Harizaj, Romir Zalla, Neritan Liçaj. Muzika ishte e Endri Sinës, kostumografia e Anila Zajmit, koreografia Dion Gjinika dhe as/regjisor Kristi Serani.

“Do të doja vërtet te falenderoja të gjithë, tha pas shfaqjes regjisori Naun Shundi. Aktorët të gjithë që ishin aq të unifikuar në lojën e tyre. Falenderoj autorin Arben Iliazi për ktë bashkëpunim të frytshëm, kompozitorin Endri Sina, kostumografen Anila Zajmi, koreografin Dion Gjinika,as/regjisorin Kristi Serani dhe në mënyrë të veçantë producentin Alket Veliu, i cili na ka qëndruar pranë në çdo moment. Ndihem krenar që kemi punuar bashkë. Ka qenë bashkëpunimi mjaft kreativ që ka siguruar susksesin e shfaqjes. Gjith shfaqja ka ardhur aty ku unë synoj, ka një unifikim stilistikor me të gjithë elementët e saj.

“Për herë të parë vjen në skenën shqiptare një vepër teatrore frymëzuar nga heronjtë e Çamërisë dhe për këtë ndihem mjaft i emocionuar, tha dramaturgu Arben Iliazi.  Jam përpjekur të shkruaj një vepër të tillë që përmes figurës së Osman Takës të transmetoj mesazhe të qëndresës dhe humanizmit. Ideja ime është trupëzuar mjaft mirë. Kumtimi i të vërtetës legjendare është mbrujtur me vërtetësinë artistike dhe për këtë përgëzoj regjisorin dhe aktorët”.

“Veç vlerave artistike kjo dramë na shton vlerat tona identitare tha producenti Alket Veliu. Është detyra jonë t’i mbrojmë këto vlera. Janë shprehje e pasurisë sonë shpirtërore. Ky është misioni i Fondacionit Çamëria “Hasan Tahsin”. Të vetmit elementë që do të mbajnë gjallë kombet, janë ata identitarë. Individi i shkëputur nga ambienti i vet jetësor e kulturor, shket nëpër baltën e anonimitetit, me identitet të deformuar e të përdhunuar.  Dhe ne si popullsi çame jemi shumë të ndjeshëm ndaj trashëgimisë sonë patriotike dhe kulturore, të rrallë dhe të papërsërishme, të cilën historikisht kanë dashur të na e grabisin siç grabitën trojet tona”.

“Osman Taka” është një dramë historike, ku autori Arben Iliazi është përpjekur të ndërtojë një kontekst të fuqishëm artistik, përmes figurës së njohur të Osman Takës.
Drama mbështetet mbi një legjendë të njohur të historisë, por ngjarjet në vepër shkojnë përtej legjendës. Drama është ngritur mbi një sfond të tillë historiko-shoqëror, që krijon mundësinë të shpaloset kompleksiteti dramatik, historia e njerëzve që bartin me vete mallkimin e luftërave, të cilat  shpien në gjakderdhje e kaos, deri në trauma personale e zvetënime morale e shpirtërore.

Fatet e personazheve të dramës, problemet dhe dramat e brendshme të tyre, janë sa njerëzore aq edhe tronditëse, deri në tragjizëm, dhe vijnë shumë të besueshme dhe reale në skenë.
Drama u jep mundësi personazheve që të shpjegojnë të vërtetën e tyre, dramën e tyre, historinë e tyre, të vërtetën e tyre, e cila i shqetëson. Madje ata nxitojnë që ta bëjnë sa më parë këtë gjë, me përballje mjaft dramatike.
Drama është një tablo jo vetëm e krenarisë, por edhe e pasionit, me nënshtresat dhe zgavrat e tij sekrete.

Ky projekt  i madh teatror, u realizua falë mbështetjes së producentit Alket Veliu, drejtor i Fondacionit të mirënjohur Çamëria “Hasan Tahsin”.

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit