Për herë të parë në Shqipëri është kryer një operacion delikat në zemër duke i shpëtuar jetën një 27-vjeçari pasi iu vendos një aparat CRT-D në Qendrën Spitalore Universitare Nënë Tereza.
Ndërhyrja zgjati 5 orë dhe 27-vjeçarit iu vendos një aparat CRT-D dhe sonda subkutane për defibrilim kardiak i cili ka një shkallë të lartë vështirësie për t’u vendosur.
Operacionin i cili shkoi me sukses e njoftoi ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu për mes një postimi në Facebook.
“Mjekët e shërbimit të Hemodinamikës në QSUT bëjnë mrekulli me një 27-vjeçar të cilit i shpëtojnë jetën, me një ndërhyrje të rrallë në zemër që zgjati 5 orë.
Për herë të parë në Shqipëri u bë vendosja e aparatit CRT-D (terapi resinkronizimi dhe defibrilator i implantueshëm kardiak) si dhe vendosja e nje sonde subkutane për defibrilim kardiak.
Pajisjet CRT-D janë pajisje shumë të kushtueshme dhe bartin një shkallë të lartë vështirësie për t’u vendosur, por falë investimeve të kryera në QSUT dhe kualifikimit të stafit mjekësor, u bë e mundur ndërhyrja delikate që rezultoi e suksesshme për të riun 27-vjeçar.
Super punë e ekipit të mjekëve me Dr. Ormir Shurdha, Dr. Mirald Gina, stafit të infermierëve të Hemodinamikës me kryeinfermiere Ledja Grrica, dhe ndihmën e veçantë për anestezinë të Dr. Saimir Kuçi,” shkruan Manastirliu në Facebook.