Nëna e 22-vjeçares Joy Ayoko ka njoftuar mëngjesin e sotëm për vdekjen e vajzës së saj, e cila në muajin gusht u dhunua barbarisht në Tiranë dhe përfundoi në koma. Ruth Abongo ka deklaruar se do të kërkojë drejtësi deri në momentin e fundit për vajzën e saj.
“Do bëj të pamundurën që të vendoset drejtësi për vajzën time. Nëse kjo drejtësi do të marrë frymën time të fundit për të vendosur drejtësi për Joyn, atëherë jam gati”, ka thënë ajo.
U dhunua barbarisht dhe u hodh nga ballkoni i hotelit në Tiranë, ndërron jetë 22-vjeçarja nga Kenia!
Më 13 gusht të vitit të kaluar, 22-vjeçarja Joy u dhunua dhe u hodh nga kati i dytë i banesës ky jetonte me qira në rrugën “Pandeli Evangjeli” në kryeqytet. Edhe pse ngjarja kishte ndodhur më 13 gusht, njoftimi i parë nga policia e Tiranës u bë vetëm pas 3 muajsh, më datë 9 nëntor.
Policia deklaroi se në përfundim të veprimeve të para hetimore për këtë rast janë referuar materialet në Prokurorinë e Tiranës, e cila ka regjistruar procedimin penal, për veprën penale “Plagosja e rëndë me dashje”.
Prokuroria ka marrë akt-ekspertimin mjeko-ligjor për 22-vjeçaren, në bazë të cilit është referuar edhe vepra penale “Plagosja e rëndë me dashje”, pasi rezulton se e reja është dhunuar.
Hetuesit kanë marrë në pyetje personat e afërt dhe bashkëkombëset e 22-vjeçares nga Kenia që jetojnë e punojnë në Shqipëri, po ashtu janë marrë në pyetje edhe kontaktet e fundit të saj.
Edhe pse kanë kaluar mbi 5 muaj nga krimi dhe prokuroria është duke hetuar, nuk ka asnjë person të ndaluar dhe të dyshuar për ngjarjen.