30 minuta përpara nisjes së protestës, Sali Berisha tha se strategjia e opozitës do të jetë e fokusuar si jashtë në tubim dhe brenda parlamentit në foltore. Ai tha se ky është vetëm fillimi i revolucionit.
“Zëri ynë do të jetë brenda dhe jashtë parlamentit. Kemi një thirrje për qytetarët shqiptarë, një apel, një kushtrim, se në parlament sot nuk respektohet asnjë e drejtë e opozitës. Bëjnë gjithçka që opozita të bojkotojnë parlamentin, por opozita nuk e bën këtë.
Theksoj se në parimin tonë, aty ku është shtypja, aty do të jetë qëndresa, aty do të jetë fitorja. Ne nisëm një revolucion i cili ka për objektiv madhor, përmbysjen e monizmit të bazuar në krimin, drogën dhe vjedhjen e shqiptarëve, rikthimin e të drejtës së votës së lirë të këtyre qytetarëve si objektivat më madhorë të tij.
Në kushtet e monizmit të plotë një nga institucionet më të goditura është parlamenti. Libri themelor i çdo kombi të qytetëruar që është kushtetuta shkelmohet në parlament, dhunohet në parlament. Deputetët e opozitës në parlament janë trajtuar në mënyrën më antikushtetuese.
Të drejtat e tyre janë dhunuar, janë pjesëtuar si kurrë ndonjëherë më parë në historinë e parlamentit. Për të drejtën e fjalës deputetët janë përjashtuar nga parlamenti, të tjerë në kundërshtim me çdo ligj dhe rregull shpallen të përjashtuar nga grupi me urdhër të Edi Ramës.
Por deputetët e opozitës nuk përfaqësojnë vetëm veten e tyre, por 750 mijë votues të cilët në zgjedhjet e fundit votuan për forcat opozitare. Të injorosh në këtë mënyrë 750 mijë votues, të sillesh me këtë brutalitet, dhe këtë armiqësi të egër ndaj tyre nuk bën gjë tjetër veç se kërkon konfliktin e hapur” tha ai.