Në tre vitet e fundit, Shqipëria ka pasur një shtesë natyrore afër zeros, për shkak të vdekjeve të larta dhe rënies së lindjeve. Të dhënat e INSTAT tregojnë se në vitin 2022, shtesa natyrore e vendit, që mat diferencën mes lindjeve dhe vdekjeve ishte vetëm 675 persona, më e ulëta historike, me përjashtim të dy viteve të pandemisë 2020-2021, kur kishte një numër të lartë të pazakontë vdekjesh.
2021-i është i vetmi në historinë e Shqipërisë me shtesë negative (-3,296), ndërsa në 2020-n shtesa ishte minimale prej vetëm 470 personash. Por, ndërsa në periudhën 2020-2021, indikatori u përkeqësua për shkak të numrit të lartë të vdekjeve si pasojë e pandemisë, në 2022-n, numri i vdekjeve u stabilizua, duke u rikthyer afër tendencës historike dhe efektin kryesor e dha përshpejtimi i tendencës tkurrëse të lindjeve.
Sipas INSTAT, në vitin 2022 u shënuan 22.9 mijë vdekje, me një tkurrje të fortë me 37% në raport me vitin e mëparshëm kur ishte kulmi i pandemisë, duke iu rikthyer trendit normal të para pandemisë (vdekjet në 2022 ishin rreth 5% më të larta se mesatarja e 2016-2019). ë vend, lindën për të njëjtën periudhë 23.6 mijë bebe, me rënie 13.5% në krahasim me vitin e mëparshëm.
Ky është numri më i ulët i lindjeve të regjistruara ndonjëherë në vend, që nga viti 1934, kur raportohen të dhënat. Ky tregues mat vetëm shtesën natyrore të popullsisë, ndërsa popullsia reale mund të jetë tkurrur më shumë për shkak të migracionit neto negativ, me ikjet e popullsisë, sidomos të të rinjve, që vitet e fundit janë përshpejtuar.