Ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka në seancën e gjyqit paraprak për dosjen e inceneratorit të Elbasanit tha se ka qenë besnik ndaj vendit duke i shërbyer duke hedhur poshtë akuzat.
Ai kritikoi prokurorinë dhe gjykatën. Sipas tij nuk është e drejtë që të arrestohet një qytetar bazuar te kallëzimi i deputetes Monika Kryemadhi, e cila vuri në lëvizje SPAK-un për hetimet.
“Unë i kam shërbyer këtij vendi me besnikëri. Si mundet prokuroria të arrestojë qytetarë të pafajshëm nga kallëzimi i një të çmendure, si Monika Kryemadhi.
Mirë unë u dogja, e do të dënohem, por gjykata të qëndrojë me dinjitet e të mos arrestojë qytetarë pafajshëm” tha Lefter Koka.
20 persona, zyrtarë dhe ish-zyrtarë dhe 14 kompani janë në dosjen e gjyqit paraprak për inceneratorin e Fierit. Seanca është zhvilluar ditën e sotme.
Gjyqi ka nisur me rrëzimin e kërkesës së tyre për bashkimin e dy dosjeve, të inceneratorit të Elbasanit dhe të Fierit.
Dje në gjyq dy ish-zyrtarët e lartë, Lefter Koka dhe Alqi Bllako deklaruan se nuk kanë lidhje me akuzat për inceneratorin e Elbasanit dhe kërkuan lirimin nga qelia.