Udhëheqësit e Kosovës dhe të Serbisë thanë se diplomacia perëndimore ua ka bërë të qartë se mospranimi i propozimit evropian për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre, do të çojë në përballje me sanksione. Të dyja palët thanë se e pranojnë në parim propozimin, që ka nxitur mëdyshje e debate në shoqëritë e të dyja vendeve.
Mëdyshjet përshkojnë edhe pikëpamjet e analistëve rreth propozimit që nuk parasheh njohje të ndërsjellë por zotimin e palëve se nuk do të pengojnë njëra tjetrën në proceset integruese.
Engjëllushe Morina nga Këshilli Evropian për Marrëdhënie Ndërkombëtare, thotë se plani ndonëse nuk e thekson prerazi njohjen e ndërsjellë, megjithatë ka elementet e pranimit të realiteteve politike dhe legale të të dyja shteteve.
Analisti britanik: Alternativë e Asociacionit në Kosovë, ndryshimi i kufijve etnik!
Aleksandar Popov, udhëheqës i Qendrës për rajonalizëm me seli në Novi Sad, thotë se propozimi tani për tani është varianti me optimal i mundshëm i zgjidhjes dhe se kriza e Ukrainës i përshpejtoi përpjekjet e perëndimit që në një mënyrë të zgjidhë “nyjën e Kosovës”, duke i vendosur çështjet në një kuadër më real kundruall kërkesave maksimale të palëve.
Por, profesori James Ker-Lindsay nga London School of Economics kundërshton vlerësimet që dolën javën e kaluar nga Bashkimi Evropian se propozimi është një mundësi historike për të dyja palët.
Krahas përpjekjeve për të siguruar një marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, diplomatët perëndimorë kanë shtuar trysninë mbi Kosovën që të zbatojë marrëveshjen për Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Prishtina ka hezituar të themelojë Asociacionin për të cilin është arritur një marrëveshje që në vitin 2013, nga frika se ai mund të shndërrohet në një shtet brenda shtetit, ngjashëm me Republikën Serbe në Bosnje.