Qeveria franceze po shqyrton dhënien e vizave urgjente për anëtarët e familjeve të të huajve me banim të ligjshëm në Francë, të cilët ishin viktima të tërmetit në Turqi dhe Siri, me kusht që të ofrojnë garanci se nuk paraqesin rrezik sigurie për Francën.
Këtë lajm e ka bërë të ditur ministrja franceze e Punëve të Jashtme, Catherine Colonna.
“Çështja kërkon një vlerësim të përbashkët nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Ministria e Brendshme,” tha Colonna dje në përgjigje të një pyetjeje që i është bërë në Asamblenë Kombëtare Franceze.
Siç shpjegoi ajo, përballë “një tragjedie të tmerrshme, është e mundur të zbatohen marrëveshje ad hoc, siç është bërë në të kaluarën”, ndërsa shtoi se “Kjo kërkon një konsideratë të kujdesshme për të siguruar pritjen në kushte të sigurta për territorin tonë.”
Për të huajt që ndodhen aktualisht në Turqi dhe Siri dhe që kanë leje qëndrimi në Francë, do të ndërmerren veprime “për të përshpejtuar kthimin e tyre në vendin tonë”, tha ministrja.