Deputetë të partive opozitare në seancën e së enjtes të Kuvendit të Kosovës, kanë kritikuar qeverisjen dyvjeçare nën udhëheqjen e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.
Ata kanë akuzuar Qeverinë se përgjatë këtyre dy vjetëve nuk ka arritur të adresojnë problemet me të cilët përballen qytetarët e Kosovës, dhe sipas tyre, nuk ka pasur ndryshime pozitive në Kosovë.
Largimi i qytetarëve për një jetë më të mirë ne vendet e Bashkimit Evropian, shkalla e lartë e papunësisë dhe varfërisë, janë disa nga problemet që deputetët të partive opozitare kanë theksuar.
“Asnjëherë më para nuk ka pasur radhë kaq të gjata të të rinjve kosovarë dhe e profesionistëve para ambasadave për ta lëshuar vendin”, tha deputetja e subjektit opozitar, Partisë Demokratike e Kosovës (PDK), Eliza Hoxha.
Ndërkaq, deputeti i partisë tjetër opozitare, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri, tha se me qeverisjen Kurti, Kosova është më e varfër.
Qytetarët e Kosovës, tha ai kanë humbur shpresën në këtë Qeveri dhe kanë marrë rrugën e mërgimit.
Sipas tij, vetëm në vitin 2022, në Ambasadën gjermane dhe atë zvicerane në Prishtinë kanë aplikuar për vizë mbi 130 mijë qytetarë të Kosovës.
“Brenda 10 vjetëve në Kosovë janë larguar 30 për qind e popullatës së Kosovës. Unë nuk e them që ky trend është vetëm tani. Por, kur ju thoni që kjo është Qeveria e shpresës, të dhënat që iu prezantova janë më shqetësuese se një vit paraprak, pra trendi është në rritje masive”, tha Tahiri./rel