8 kanale televizive turke kanë mbledhur më shumë se 6 miliardë dollarë gjatë një aksioni ndihmash për të mbijetuarit e tërmeteve të javës së kaluar që goditën 11 provinca duke prekur miliona njerëz. Kanalet kryesore transmetuan drejtpërdrejt të mërkurën fushatën e quajtur “Turqia, një zemër”.
Fushata arriti të gjeneronte më shumë se 6.1 miliardë dollarë (115.1 miliardë lira turke). U dërguan më shumë se 9 milionë SMS mesazhe dhurimi. Duke folur në transmetim me telefon, presidenti i Turqisë, Erdogan tha se çdo qindarkë e mbledhur do të përdoret për mirëqenien e viktimave.
Ai shpresonte se kjo lëvizje do të mblidhte një sasi të paprecedentë donacionesh, duke shtuar se një fushatë e ngjashme do të nisë gjithashtu në Azerbajxhan dhe Republikën Turke të Qipros Veriore. Transmetimi i përbashkët mblodhi figura kryesore të kulturës, artit, biznesit dhe sportit për të mbështetur të prekurit nga tërmeti.
Kujtojmë që edhe kryeministri Edi Rama telefonoi live gjatë transmetimit të fushatës “Turqia, një zemër” ku deklaroi se do të dhuronte 1 milionë euro në emër të popullit shqiptar. Rama përmendi ndihmën që dha Turqia dhe presidenti Erdogan për Shqipërinë kur u prek nga tërmeti i 26 Nëntorit 2019.
Tërmeti shkatërrimtar, Shqipëria dhuron LIVE 1 milionë euro për Turqinë!