Ministria e Financave e Indisë akuzoi të premten rrjetin televiziv publik të Britanisë së Madhe, BBC për evazion fiskal , duke thënë se nuk i kishte deklaruar plotësisht të ardhurat dhe fitimet mbi veprimtarinë e tij në këtë vend.
Autoritetet tatimore indiane përfunduan kontrollin tre ditore në zyrat e transmetuesit britanik në Nju Delhi dhe Mumbai të enjten në mbrëmje. Partitë politike të opozitës dhe organizatat mediatike i kanë kritikuar këto veprime të qeverisë, duke i cilësuar si përpjekje për të frikësuar mediat.
Kritikët e kryeministrit Narendra Modi kanë ngritur pikëpyetje gjithashtu rreth kohës kur u kryen kontrollet. Para disa javësh BBC transmetoi një dokumentar në Mbretërinë e Bashkuar që ishte kritik ndaj kryeministrit Modi.
“Departamenti mblodhi disa prova në lidhje me funksionimin e organizatës (mediatike), të cilat tregojnë se nuk janë paguar taksat për një pjesë të të ardhurave nga jashtë”, tha Bordi Qendror i Taksave në një deklaratë.
Në deklarat thuhej se kishte “mungesë e mospërputhje” informacioni dhe se autoritetet kishin mbledhur “prova thelbësore” nga deklaratat e punonjësve, prova dixhitale e dokumente, të cilat do të shqyrtoheshin plotësisht më vonë.
Deklarata akuzonte BBC-në se nuk kishte paguar taksa mbi të ardhurat e punonjësve të huaj e që kishin punuar në Indi për periudha të shkurtra.
BBC tha në një deklaratë se do t’i përgjigjet në mënyrë të përshtatshme çdo komunikimi të drejtpërdrejtë zyrtar të marrë nga Departamenti i Tatimit mbi të Ardhurat.