-sidi education-spot_img
3.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Si dështoi arratisja drejt Greqisë? Dëshmia: Vajza spiune kishte qenë brenda grupit

Kryesoret

Emin Xhuti ishte minoren kur u përball me egërsinë e regjimit komunist. Me sytë e qeshur dhe me shpresën e një fëmije, ëndërronte largimin nga diktatura dhe varfëria e vendit të tij, por u dënua dënua me 10 vjet burg.  Dënimin e vuajti në kampin-burg të Spaçit, ku njohu punën e rëndë në minierë dhe dhunën e policëve. I riu që nuk e njihte lodhjen, tanimë ishte pjesë e një kalvari të gjatë mundimesh dhe vuajtjesh e vitet më të bukura të jetës, do t’i kalonte brenda ferrit komunist, ku do të humbiste edhe një nga shokët më të ngushtë të tij, me të cilin ndau ëndrrën e arratisjes. Sot, ai është 69 vjeç dhe padrejtësitë e kanë shoqëruar në çdo hap të jetës.

  1. Xhuti, cila është historia juaj?

Unë vij nga një fshat i vogël i Korçës, nga Zvezda, nga një familje e varfër, ku të gjithë punonim në kooperativë, për të nxjerrë bukën e gojës. Jetonim në një botë të mbyllur dhe shpresa, ishte e vetmja frymë e lirisë. Ishim fëmijë, por në atë sistem që jetuam, u rritëm para kohe, pasi regjimi komunist, kërkonte viktima dhe ne do ishim kurbani i tij. E them këtë, pasi unë isha vetëm 16 vjeç, kur u përballa me një akuzë që nuk e kisha kryer, siç ishte tentative e arratisjes jashtë shtetit. Mendimi dhe veprimi janë dy gjëra të ndryshme.

Unë as nuk arrita dot të merrja rrugëtimin për të kapërcyer kufirin dhe të arrija në destinacionin që kisha ëndërruar. E tillë ishte politika e shtetit: godiste, persekutonte, dënonte, secilin prej nesh që, në një mënyrë apo në një tjetër, i kishim dalë kundër ideologjisë komuniste.

Edhe pse mund të ishim “kundërshtarë”, aktivë ose pasive, si në rastin tim. Pavarësisht kësaj, unë jam dënuar me 10 vite burg për “tradhti ndaj atdheut”, në formën e arratisjes jashtë vendit e, mbetur në fazën e tentativës. Ishte akuzë e rëndë, që do peshonte në supet e vogla të një 16-vjeçari si unë.

Si ju lindi ideja për arratisje?

E vetmja e ardhme që na priste menjëherë sa të mbaronim shkollën ishte puna në kooperativë të cilën e kisha provuar që 14 vjeç, pasi vija në vendin e babait tim për të plotësuar normën. Ashtu si çdo bashkëmoshatar imi, që besonte tek ëndrrat, shpresë gati-gati naive e një fëmije, edhe unë mendoja se mund t’ia dilja të largohesha nga ai fshat i vogël i Zvezdës dhe nga Shqipëria, por brenda regjimit komunist, ëndrrat t’i plotësoje ishte e vështirë po e po, por në shumicën e rasteve, mund të përfundonin edhe në tragjedi. Ashtu siç ndodhi.

Ne ishim katër shokë: Hariz Braho, Xhuma Shake, Demirali Karemani dhe unë Emin Xhuti, që çdo ditë e më shumë diskutonim mënyrën e largimit nga Shqipëria, sidomos kur shkonim për të prerë dru në mal, ku në atë lartësi, kërkonim një vend të largët, aq sa edhe zogjtë i kishim zili. Të katërt, kishim njerëz jashtë vendit, në destinacione të ndryshme kuptohet, por na bashkonte ideja dhe mendimi për të kapërcyer kufirin së bashku.

Dy nga ata që ishin, Hariz Braho, bashkë me vëllain e tij, Resmi Braho, njëri 18 vjeç dhe tjetri 15 vjeç, arritën të kapërcenin kufirin dhe shkuan për gati 2 muaj në Greqi. Për fatin e tyre të keq, shteti grek i ktheu dhe u kapën nga organet e Sigurimit të Shtetit. Kuptohet që pasojat do ishin tepër të rënda për ata, por dhe për ne që, thjesht kishim biseduar për arratisje me njëri-tjetrin. Nëse ata të kapnin. nuk kishe mundësi shpëtimi nga çmenduria komuniste.

Si e kujtoni momentin kur ju arrestuan?

Mund t’ju them që e prisja momentin e arrestimit tim pasi, vet kapja e Hariz Brahos, me të cilin kishim biseduar për arratisje, të çonte në mendimin se ata, nuk do e linin me kaq. Plus që në mesin tonë, doli që kishim një spiune, e cila ishte Barie Pojani Kodra, që gjoja do na ndihmonte për t’u arratisur, por që ajo ishte veçse një bashkëpunëtore e strukturave të Sigurimit të Shtetit. Kështu që nuk vonoi dhe më 6 tetor 1973 u arrestova.

Gjatë asaj dite kam qenë në punë, duke mbledhur duhan, në vend të babait. Ngre kokën dhe shikoj një makinë të zezë, ku prej saj dolën policë dhe oficeri i zonës. Pirro e quanin. Më afrohen, duke më thënë që kemi vetëm një sqarim për të bërë. Por policët që m’i vendosën hekurat, thirrën: “Në emër të popullit je i arrestuar”. Grave të cilat ishin atje pranë duke punuar, u ra të fikët.

Edhe pse isha përgatitur për një gjë të tillë, frika dhe padija se çfarë do më ndodhte, më pushtoi shpirtin, mendjen, trupin, çka bëri që të dridhesha. Nuk doja ta jepja veten, e përmblodha duke menduar: “le të bëhet ç’të bëhet, ajo që ka për të ndodhur do ndodhë”. S’kisha shpëtim…! Më hipin në makinë dhe më çojnë në Degën e Brendshme këtu në Korçë.

Si ishte hetuesia për një fëmijë në moshën tuaj?

Hetuesia (paraburgimi), ka qenë një nga rrethanat më torturuese, që ne të burgosurit kemi provuar. E them këtë pasi për të gjithë ka qenë e vështirë dhe për shkak të metodave që përdorte Sigurimi i Shtetit gjatë hetuesisë. Marrja në pyetje, tortura, rrahje, keqtrajtime, poshtërime. Pra në kushtet e një izolimi dhe dhune të vazhdueshme, aq sa ndonjëherë habiteshim nëse hetuesi sillej me “njerzillëk”.

Për një moshatar si unë, të gjitha këto ishin e panjohura e hidhur e cila, do më shoqëronte për një vit hetuesi intensive. Hetuesi i çështjes sime ishte Safet Bala, një burrë i shkurtër, i ashpër në sjellje, hijerëndë, që priste gjithmonë me një dru tallashi në dorë, për të të marrë në pyetje.

Unë nuk pranova asnjë akuzë, pasi nuk tentova asnjëherë arratisjen, vetëm e mendova. Safet Balën, e kam takuar vite pasi kam dalë nga burgu, edhe pse ai e mohoi që të ketë qenë hetuesi im, unë e mbaj mend shumë mirë fytyrën e tij të vrenjtur dhe duart që më godisnin. Izolimi për një vit në birucat e hetuesisë, u bë i padurueshëm, sa dënimi m’u duk i nevojshëm.

Si u zhvillua gjyqi?

Gjyqi u zhvillua më 20 mars 1974, në Gjykatën e Korçës, me dyer të hapura. Prezent ishin edhe prindërit e mi, nëna dhe babai të cilët dukeshin që ishin tepër të dërrmuar nga kjo që ndodhi. Në këtë gjyq, dolëm që të katërt të cilët kishim biseduar për arratisjen. Prokuror i çështjes ishte Femi Molla.

Dëshmitare ishte Barie Pojani Kodra, të cilën e përmenda. Pretenca vendosi dënimin për të katërt: Ariz Braho u dënua me 14 vjet burg; Xhuma Shake, 15 vjet burg; unë, Emin Xhuti me 10 vjet burg dhe Demirali Karamani, me 8 vjet burg. Akuza e njëjtë: “për tentativë arratisje”. Gjithmonë gjyqi komunist, ka qenë një “komedi” me përfundime tragjike.

Mbasi ju dënuan, ku ju çuan?

Menjëherë pas mbarimit të gjyqit, na çojnë nëpër kaushët të cilat, ishin dhoma tranzite për të burgosurit që do transferoheshin nëpër kampet dhe burgjet komuniste, që ishin të shumtë në numër.

Atje, prisje se ku do i kaloje ditët, netët, muajt, vitet e dënimit. Që atje na marrin të katërve dhe na çojnë në kampin e Torovicës në Lezhë, ku shumica prej të burgosurve ishin ordinerë.

Mirëpo kishin nevojë për punë, e kemi qëndruar për gati tre vjet atje në Torovicë. Atmosfera që mbizotëronte në këtë kamp ishte mbytëse, për vetë faktin se përzierja e të burgosurve politikë që ishim ne, me ata ordinerë, pengonte marrëdhënien mes të dënuarve.

Mbas tre vitesh, në vitin 1977, më transferojnë në kampin e Spaçit. Nuk e dija çfarë ishte puna në minierë, në galeri, duke punuar me tre turne, për të plotësuar normën. Spaçi ta jepte këtë “mundësi”, ku provoje, jo vetëm punën e rëndë, por dhe dhunën e policëve, për arsye nga më të pazakontat.

Dhuna ekstreme që ndodhte në këtë kamp, është shoqëruar në shumicën e rasteve edhe me viktima në radhët e të dënuarve. Pjetër Koka, ishte një kapterr në Spaç, polici më i poshtër, që kokën ta lëvizje, të godiste dhe jo vetëm: të dënonte duke të futur në birucë.

E njëjta gjë më ndodhi dhe mua, jam futur në birucë për gati 30 ditë pasi, më gjetën një prerëse, një thikë të vogël nën dyshek, që unë e përdorja për prerjen e thonjve. Biruca ishte e tmerrshme, ishte akull, dëbora hynte brenda, rrobat e trupit ishin të holla, kishim vetëm dy batanije: një poshtë, një lart.

Këtu në birucë kam gjetur Fatos Lubonjën. Njeri intelektual me të cilin kishe dëshirë të bisedoje dhe të kaloje kohën, duke harruar dhe vendin ku ndodheshe.

Edhe pse ishte e vështirë të kishe miqësi me të gjithë, nuk mund t’u besoje të gjithëve, koha dhe burgu ku ishim të impononte komunikimin dhe lidhjen e afërt me disa prej të dënuarve. Siç ishte miqësia me: Nevruz Golkën, Ëngjëll Fidanin, Dhimitraq Zguron, Mina Kotën, i cili punonte inxhinier në minierë.

Ka pasur aksidente gjatë punës?

Të punoje në minierë ishte torturuese. Edhe pse ishte në formën e shfrytëzimit, ne atje fitonim diçka për të mbajtur veten dhe më kryesorja për të mos u rënë në qafë familjarëve. Unë kam punuar si vagonist.

Vështirësia e kësaj pune, konsistonte jo vetëm në mundimin që të jepte, por ngaqë bëhej me përdhunë e detyrim, ndryshe kërciste druri. Aksidente ka pasur plot, ku në shumicën e rasteve, përfundonin në mënyrë fatale. Unë kam shpëtuar “paq” si mund të themi, pasi vagoni më preu vetëm pak gishtin, në punë e sipër.

Por mbaj mend që gjatë punës në minierë, ku ishim të gjithë të burgosurit, u shemb një pjesë e vogël e tunelit dhe vetëm një prej nesh, e kapi brenda. Ishin të tmerrshme ulërimat dhe klithmat e atij njeriu, i cili dha shpirt nën gërmadhat, duke u lënë aty përgjithmonë.

Ka pasur dhe raste të tjera, ku këto aksidente janë planifikuar dhe nxitur nga vetë komanda e burgjeve, për të kryer ekzekutimet e radhës. Kështu ndodhi me shokun tim, Hariz Braho, të cilin e vranë ato kohë që i kishin lëshuar dhe fletën e lirimit.

Ai ishte vagonist, përgjatë turnit ia hodhën vagonin sipër, duke e lënë të vdekur në vend. Kjo ndodhi pasi unë isha liruar dhe kam shkuar së bashku me vëllain e tij, për të marrë trupin.

Ishte vërtet tragjike sepse, familja e priste lirimin e tij. Por askush nuk i imagjinonte dot, metodat që përdorte ky regjim për spastrimet ndaj “elementit armik”, të cilët nuk i konsideronte aspak si qenie njerëzore…

Komunikimi me familjen ishte i nevojshëm, pasi në atë gjendje që ishim ne, duhej pak forcë, përkrahje morale dhe shpirtërore të cilën, ta jepte vetëm kontakti me nënën, me babain dhe me të afërmit e tjerë. Unë kam pasur vetëm dy takime me prindërit e mi, një në kampin e Torovicës dhe një në Spaç.

Kjo për arsye të largësisë dhe moshës së tyre. Nuk e përballonin dot të më shihnin në atë gjendje. Takimet nuk kishin mundësi privatësie pasi, bëheshin në prani të punonjësve të policisë. Ishte e vështirë, por mjafton t’i shikoje dhe të çmalleshe me ta. S’kishim çfarë bënim. Kjo ishte jeta e burgut komunist.

Si e kujtoni lirimin dhe çfarë ndodhi me ju më pas?

Ishte nëntori i vitit 1982, ku dëgjoj në dhomën e televizorit, fjalimin e Enver Hoxhës në lidhje me amnistitë dhe uljet e dënimit të të burgosurve. M’u duk tepër propagandues sa, nuk më bëri fare përshtypje falja e dënimit, në krahasim me ato që kisha përjetuar gjatë asaj kohe.

Pas kësaj vjen komandanti i kampit me një listë në dorë, duke na rreshtuar tamam si një kope dhe lexon emrat e atyre që iu falej dënimi: ndër ta ishte dhe emri im. Takohem me shokët dhe hipi në makinë, e cila më qëndroi në Korçë.

Po errej, ftohtë ishte, unë i veshur hollë, i qethur, më duhej të ecja në këmbë për të shkuar në vendlindjen time, në Zvezdë. Mbërrita vonë dhe kur kam trokitur në derën e shtëpisë, doli nëna e para, të cilës i ra të fikët kur më pa. Kam qëndruar me ta vetëm atë natë, pasi në mëngjes vjen korrieri i fshatit dhe më lajmëron se më ka dalë emri për ushtar.

Nuk arrita të çmallesha me ta. Mbasi mbarova ushtrinë, u ktheva dhe tanimë më duhej të gjeja një punë për të mbijetuar. Mes shumë mundimesh, arrita të gjeja punë në Ersekë, ku mund të them me plot bindje se, këtu ndjeja çdo ditë e më shumë atë “damkën” si “armik i popullit”…! I pafati i pafat, ngelet gjithë jetën…!/ Memorie.al

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit