Dy persona janë arrestuar nga policia e Elbasanit si pjesëmarrës në atentatin e dështuar një ditë më parë. Në pranga ka përfunduar 53-vjeçari Arben Spahiu, kunati i Erjon Alibejt dhe 44-vjeçari Arsen Preçi.
Ende nuk dihet se kush ishte konkretisht shënjestra e atentatit, por nga provat e mbledhura deri më tani hetuesit dyshojnë se dy të ndaluarit mund të ekzekutonin Elton Kilën, i njohur ndryshe dhe si Oti i Elbasanit.
Emri i tij doli edhe në dosjen e Nuredin Dumanit. Por nuk përjashtohen as pistat që shënjestër të kenë qenë dhe persona të tjerë anëtarë të bandave rivale kriminale që operojnë në këtë qytet.
Deri më tani të vetmet prova që agjentët e kriminalistikës kanë në dorë janë makina “BMW X6” që u gjet në lagjen “Emin Matraxhiu”, në zonën e quajtur “Ish-konservimi”; tre armët kallashnikov, 2 bidonët me benzinë, si dhe çanta ku u gjet pistoleta si dhe mjetet e identifikimit.