Policia njoftoi sot se në portin e Durrësit është bllokuar një anije me 22 500 ton naftë kontrabandë që vinte nga Rusia në thyerje të embargos që është vendosur kundër Moskës që pas agresionit ushtarak në Ukrainë. Anija ishte me flamur liberian.
Anija, vijon më tej njoftimi ishte nisur nga Azerbajxhani dhe pretendohet se më pas është ngarkuar me naftë në portin Kallamata, Greqi, nga një anije tjetër, në një sasi prej 22 500 tonë lëndë djegëse naftë.
Por, në vijim të veprimeve, “bazuar në dyshime të arsyeshme se kjo sasi nafte e kishte origjinën nga vendet me embargo dhe ishte e kontrabanduar, pasi nuk disponohej dokumentacion i rregullt, u bë sekuestrimi i saj dhe i dokumentacionit të lundrimit të kapitenit, si dhe bllokimi i ekuipazhit që përbëhej nga 22 persona, për kryerjen e veprimeve të mëtejshme procedurale” mbyllet njoftimi.
Por policia e shtetit fsheh duke mos treguar se kush ishte porositësi i naftës në Shqipëri, ku do ta dorëzonte ekuipazhi që e solli kontarbandë. Njoftimi mjaftohet vetëm me faktin që po hetohet për identifikimin e personave të përfshirë në këtë veprimtari, si persona fizikë apo juridikë.