Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se akuzat e deputetit të Vetëvendosjes, Haki Abazi, janë të pavërteta dhe të pasakta.
“Ato nuk janë të vërteta e dhe nuk janë të sakta. Për këtë është përgjigjur ministrja jonë e Drejtësisë. LVV është subjekti më i madh dhe më demokratik. Unë nuk mund të mbajë përgjegjësi për fjalën publike të dikujt”, ka thënë ai.
Më 8 dhjetor të vitit të kaluar, 12 mostra të Astrit Deharit janë zhdukur nga Laboratori i Toksikologjisë në Institutin e Mjekësisë Ligjore.
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, pati thënë se ky akt i rëndë është vërejtur gjatë bartjes së mostrave nga frigoriferët e vjetër në ata të rinj.
Sipas saj, ky veprim ka për qëllim që të dështojë përfundimisht procesi hetimor për vdekjen e Deharit.
Lidhur me rastin janë pezulluar nga puna katër zyrtarë të Institutit të Mjekësisë Ligjore (IML), dhe të njëjtit më pas janë kthyer sërish në punë.
Por, Abazi pretendon se IML-ja është nën vëzhgim të kamerave 24 orë, dhe sipas tij, dihet qartë se kush ka hyrë brenda frigoriferit për t’i nxjerr mostrat.