Në ditën e dytë të vizitës së tij në Poloni, presidenti amerikan, Joe Biden, pritet të takohet në Varshavë me përfaqësuesit e disa shteteve të NATO-s të Evropës Lindore.
I ashtuquajturi Grupi i nëntë i Bukureshtit përfaqëson vendet që përbëjnë krahun lindor të NATO-s. Aty bëjnë pjesë: Polonia, Rumania, Bullgaria, Hungaria, Çekia, Sllovakia, Estonia, Letonia dhe Lituania.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, gjithashtu pritet të marrë pjesë në takim.
Vizita e Bidenit në Poloni është pjesë e një serie të konsultimeve me aleatët për t’u përgatitur për një fazë më të ndërlikuar të pushtimit rus të Ukrainës, që ka nisur pothuajse një vit më parë.
Gjatë fjalimit të tij të djeshëm para qytetarëve të mbledhur jashtë Kështjellës Mbretërore në Varshavë, ai tha se Ukraina “kurrë nuk do të jetë një fitore për Rusinë”.
Para Polonisë, ai vizitoi Ukrainën, ku qëndroi mbi pesë orë.
Vizita e paparalajmëruar atje nënvizoi edhe një herë bështetjen e Uashingtonit për Kievin.
Biden paralajmëroi Rusinë se nëse sulmon ndonjë shtet të NATO-s, do të përballej me një përgjigje të fuqishme ushtarake./rel