Gjykata Kushtetuese zbardhi të enjten dy vendimet e arsyetuara për dy ankesat e opozitës lidhur me çështjen e papajtueshmërisë së mandatit të deputetes për ministren e Jashtme, Olta Xhaçka, pasi bashkëshorti i saj, Artan Gaçi u shpall “investitor strategjik” nga qeveria.
Shumica e anëtarëve në Gjykatën Kushtetuese i dha të drejtë kërkesës së 1/10 së deputetëve të opozitës, duke i rrëzuar si antikushtetuese vendimet e Kuvendit për dy raportet e Këshillit të Mandateve lidhur me mandatin e Xhaçkës.
Mendimi i pakicës kundër në vendim përfaqësohej nga anëtarët Sonila Bejtja, Sandër Beci dhe Ilir Toska. Sipas arsyetimit të Bejtjes, kërkesa e 1/10 së deputetëve duhej të rrëzohej, pasi i heq gjykatës mundësinë për të vlerësuar në themel çështjen në bazë të kërkesës së 1/5 së deputetëve. Bejtja argumenton më tej se ky mekanizëm është mënyra e vetme për të vënë në lëvizje juridiksionin kushtetues, në rast se Kuvendi nuk vepron në përputhje me detyrimin kushtetues.
Ndërsa dy anëtarët Sandër Beci dhe Ilir Toska kundërshtuan vendimin për zgjidhjen e konfliktit të kompetencave mes 1/10 e deputetëve dhe Kuvendit, pasi sipas tyre 1/10 e deputetëve nuk legjitimohet për fillimin e një gjykimi kushtetues për këtë çështje.
Në vendimin e dytë, Gjykata Kushtetuese nuk pranoi të shqyrtonte në themel “konstatimin e papajtueshmërisë së deputetes Olta Xhaçka”, e kërkuar nga 1/5 e deputetëve demokratë, duke argumentuar se gjykata aktivizohet vetëm me kërkesë të Kuvendit.
Anëtarët e Gjykatës Kushtetuese janë ndarë në interpretime edhe në vendimin e dytë, që u vu në lëvizje nga një grup deputetësh të Partisë Demokratike me në krye Agron Shehajn. Katër anëtarë të kësaj gjykate, Sonila Bejtja, Marsida Xhaferllari, Fiona Papajorgji dhe Elsa Toska janë përfaqësuar me mendime pakice./Birn